PDK kërkon dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë dhe intervistimin e saj në Prokurorinë Speciale

PDK kërkon dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë dhe intervistimin e saj në Prokurorinë Speciale

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, sot, përmes një konference për media, ka kërkuar dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që menjëherë të ftojë atë në intervistim për të sqaruar deklaratat e saj të fundit në lidhje me arratisjet e të burgosurve nga burgjet e Kosovës.

“Nëse Serbia është prezente në burgjet e Kosovës, çfarë bën Ministrja e Drejtësisë në detyrën e saj? Kjo është pyetja themelore që ngre çdo qytetar sot. Kjo deklaratë ngre çështje serioze të sigurisë kombëtare të vendit dhe nuk mund të mbetet pa u sqaruar”, ka thënë Gruda.

Gruda ka thënë se shërbimi Korrektues i Kosovës, si një agjenci ekzekutive e sigurisë që operon nën Ministrinë e Drejtësisë, është përgjegjës për këto raste.

“Kjo deklaratë, për mua dhe Partinë Demokratike të Kosovës përbën një akt dorëzimi të ministres së drejtësisë përballë detyrimeve të saj ndaj kushtetutës, ligjit dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo është një situatë e paprecedent që tregon inkompetencën, papërgjegjshmërinë dhe dështimin e ministres Haxhiu”, ka thënë më tej anëtari i Kryesisë së PDK-së.

Më tej, ai ka thënë se është fatkeqësi që deri më tash nuk ka ardhë asnjë përgjigje, asnjë masë dhe asnjë përgjegjësi nga Ministria e Drejtësisë.

“Qytetarët e Kosovës nuk meritojnë një Ministre të tillë të Drejtësisë, që përveçse nuk arrin të realizojë asnjë nga premtimet e dhëna, bën deklarime disfatiste që dëmtojnë rendin dhe ligjin në Kosovë”, ka thënë Gruda.

Gruda, duke ia numëruar me radhë të gjitha dështimet e Ministres Haxhiu, ka kërkuar menjëherë dorëheqjen e saj nga kjo pozitë.

“Pas dështimeve të njëpasnjëshme në të gjitha nismat për drejtësi, në veting, në reformimin e këshillit prokurorial, në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, hartimin e shumë ligjeve në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, dhe së fundmi arratisjet e të burgosurve dhe deklaratat e saj skandaloze, në emër të PDK-së kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Ministres Haxhiu, si një akt të domosdoshëm për të hapur rrugën për kthimin e sigurisë në burgjet e Kosovës dhe për reformat shumë të nevojshme në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, ka thënë Gruda.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një drejtim të ri në fushën e drejtësisë që do t’u garantojë sigurinë qytetarëve, respektimin e ligjit dhe kthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Shpërndaje në: