Albanian Post: Të bëmat e drejtorit të VV’së, Selajdin Beqa, pasi rrahu grushta kolegun u ngrit në detyrë
Ishte e mërkurë, pak para orës 15:00, Shemsi Elezi po ecte në korridor jashtë zyrës së tij në Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës, kur ndjen një dhimbje të fortë nga prapa.
Diçka e kishte goditur fuqishëm në kokë, afër qafës.
Do ta kuptonte se ishte sulm nga një person tjetër, kur kontakti fillestar do pasohej me breshëri grushtesh prapa kokës, në qafë e në fytyrë, shkruan Albanian Post.
Ai po rrihej brutalisht në ambientin e tij të punës nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës, Selajdin Beqa, kolegu i tij.
Elezi nga goditjet u plandos për toke, derisa Beqa veç grushteve i futi në kombinim edhe shqelmat.
Nuk ndalej.
Dhunën terrorizuese ndaj Elezit, siç përshkruhet më pas edhe në aktakuzën e ngritur ndaj Beqës, do ta ndërpriste ndërhyrja e kolegëve të tjerë në zyrë, të cilët nuk po e kuptonin akoma se çfarë po ndodhte.
Së paku tre prej tyre, Etrit Tetova, Florent Mehmeti dhe Enis Shatri, deklaruan edhe në polici për çfarë u panë sytë atë ditë (29 nëntor 2023) dhe se si e kishin tërhequr më pas Beqën për ta shpëtuar kolegun e tyre Elezi, që në atë kohë mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut.
Fotografitë e siguruara nga Albanian Post tregojnë lëndimet e Elezit nga goditjet e Beqës, që më pas u konfirmuan edhe nga raportet mjekësore me numër “86282” të përfshira në aktakuzë dhe ekspertiza e mëvonshme Mjeko-Ligjore nga doktor Musa Gashi.
Një nga goditjet, shpjegon edhe raporti, është bërë me një mjet të fortë, por që akoma nuk dihet se me çfarë saktësisht, derisa pjesa tjetër e lëndimeve është shkaktuar nga duart në formë boksi.
Sipas ekspertizës Mjeko-Ligjore të doktorit Gashi, e datës 13 shkurt 2024 me numër Pr-063/24, “i dëmtuari si pasojë e goditjes ka ndrydhje në kokë dhe dërrmishje në anën e majtë të qafës të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë bretës”.
Siç tregohet në aktakuzë, në deklarimin e tij në polici, Elezi kishte thënë se “derisa kishte qenë në një mbledhje në zyrën e tij në Autoritetin e Konkurrencës dhe ndërkohë i ishte dashur që të dilte për të marrë disa letra të printuara të fotokopja në korridor, aty ishte sulmuar fizikisht nga prapa nga personi Selajdin Beqa me grushte dhe shkelma dhe ishte rrëzuar”.
Elezi ka shtuar se “nuk kishte mundësi që të ngritet dhe të mbrohet dhe si pasojë e goditjes kishte pësuar lëndime trupore në kokë, fytyrë, qafë dhe trup dhe aty kishte ndërhyrë stafi dhe e kishte ndarë”.
Kjo “gjendje faktike”, siç sqaron aktakuza, “u vërtetua edhe nga deklaratat e dëshmitarëve”.
Kurse në një deklaratë të tij në ditën kritike, Elezi kishte pohuar se “me sa ka pasë fuqi më ka ra“, duke përshkruar sulmin nga eprori i tij Beqa.
“Goditjet janë kanë shumë të forta, mbrapa shpinës, pa paralajmërim”.
Një version në polici e kishte dhënë edhe Beqa, duke aluduar se Elezi “më kishte fyer dhe kapur për fyti” dhe se “nuk e kam goditur, vetëm e kam shtyrë”.
Por tregimin e tij, shkruan në aktakuzë, nuk e kanë vërtetuar faktet.
“Prokurori i shteti vlerëson se mbrojtja e të pandehurit nuk gjen mbështetje në asnjë provë dhe se një deklarim i tillë i pandehuri e ka bërë vetëm me qëllim shmangien nga përgjegjësia penale”.
Kur u mblodhën deklarimet e dëshmitarëve, raportet mjekësore dhe ekspertiza mjeko-ligjore, prokurori i shtetit, Besnik Jakupi, ngriti aktakuzë për Selajdin Beqën, me datën 18 mars 2024.
Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, Neni 69 “Pezullimi sipas Detyrës Zyrtare”, pika 1.5., “nëpunësi civil pezullohet sipas detyrës zyrtare” nëse “ndaj nëpunësit civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksionit të saj/tij”.
Rrjedhimisht, sipas ligjit, Beqa do të duhej të pezullohej nga puna në momentin që i ishte ngritur aktakuza, por kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku, në kundërshtim me ligjin, jo vetëm që nuk e kishte pezulluar, por Beqa, pas rrahjes së kolegut, ngritet në detyrë nga u.d i Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtor të Përgjithshëm.
Binaku këtë vendim e kishte marrë edhe përkundër rekomandimit të anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës se ajo duhet të veprojë me pezullim në rastin e Beqës.
Në kërkesën që ka siguruar Albanian Post, anëtarët e Komisionit kërkojnë nga kryetarja të mbajë mbledhjen dhe për shkak të ngritjes së aktakuzës, të shkarkohej Beqa, siç e kërkonte ligji.
Kryetarja Binaku refuzon kërkesën për mbledhje e gjithashtu refuzon ta pezullojë Beqën.
Lidhja e Beqës me Binakun dhe e të dyve bashkë me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, kishte bërë që ata ta shpërfillnin ligjin e Kosovës dhe të vazhdojnë të dy punën e Beqa të avancohej në pozitë derisa ka aktakuzë.
Nga e-mailet që ka siguruar mediumi nga dosja e prokurorisë, kuptohet se sulmi i Beqës ndaj Elezit kishte ardhur pasi Elezi në disa raste ishte ankuar se ai po bën shkelje të ligjit dhe të procedurave të brendshme në vazhdimësi.
Një njoftim të tillë për shkelje Elezi e kishte bërë edhe atë 29 nëntor, jo shumë minuta para se të sulmohej.
Në e-mailin që mban datën e asaj dite (29.11.2023), në orën 14:14, Elezi i shkruante Beqës për shkeljet.
Ai i kishte shpjeguar Beqës se sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Rregullores së Brendshme, neni 11, detyrat ishin qartë të përcaktuara.
“Andaj, duke u bazuar në këtë rregullore besoj që ju keni bërë ndërhyrje në kompetencat e drejtorit të DMT-së kur keni organizuar takim të përbashkët me palët dhe ju keni marrë pjesë posaçërisht me palën kundër të cilës është kërkuar të veprohet nga Autoriteti”, thuhet ne e-malin, pas të cilës kishte pasuar sulmi.
Elezi i kishte sqaruar përmes mesazhit elektronik se ai, sipas ligjit, nuk guxon të marrë pjesë “në asnjë fazë të monitorimit/hetimit ndaj ndërmarrjeve, sepse me ligj dhe rregullore janë ndarë nivelet e përgjegjësive me cka konsiderohet se e dëmtoni zhvillimin e rastit”.
Historia vazhdon e skandalizohet më shumë.
Beqa kur e kishte rrahur Elezin ishte duke e mbajtur kundërligjshëm detyrën e ushtruesit të detyrës, sepse i kishte skaduar koha e lejuar me ligj për atë pozitë.
Ai fillimisht ishte caktuar kundërligjshëm ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm, sepse nga Udhëheqës i Divizionit të Marrëveshjeve të Ndaluara kishte kaluar Drejtorin Juridik dhe të Administratës e më pas edhe atë të Mbikëqyrjes së Tregut.
Pas kësaj shkelje të parë, emërimit të kundërligjshëm në pozitë, Beqa më pas e tejkalon kohën sa i lejohet të qëndrojë si u.d dhe vazhdon ta mbajë pozitën pa mandat.
Në ndërkohë, me synim për ta kapur si post të përhershëm, ishte hapur konkursi për pozitën e drejtorit, ku Beqa i kishte caktuar vetë kriteret përjashtuese për të tjerët, që të përfundonte si drejtor.
Në atë kohë, organizatat e shoqërisë civile nën grupin CorrWatch kishin alarmuar me një reagim për media se ka dyshime që konkursi të jetë i kurdisur për njërin kandidat.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore INDEP, kishin kërkuar “të anulohet procesi rekrutues për Drejtor të Përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës”.
“Shkelja e parë ka të bëjë me vendosjen e kriterit të posaçëm”, thuhet në reagim.
“Përveç që nuk është ndjekur procedura ligjore për caktimin e këtij kriteri, CorrWatch ngrit gjithashtu dyshimin që konkursi të i jetë kurdisur për një kandidat të caktuar për faktin se vetëm një kandidat e plotëson këtë kriter. I njëjti është punonjës në AKRK dhe aktualisht zëvendësues i pozitës së drejtorit të përgjithshëm”, vazhdon.
Dhe pikërisht në kohën sa konkursi me plotë kritika vazhdonte të jetë i hapur, Beqa edhe rrah brutalisht kolegun dhe përkundër të gjithave, fiton pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm, të cilën vazhdon ta mbajë, bashkë edhe me dy pozita të tjera.
Ai, jo me letra, por faktikisht, ushtron edhe detyrën Drejtorit të Mbikëqyrjes së Tregut dhe atë të udhëheqësit të Divizionit të Marrëveshjeve të ndaluara.
Albanian Post e ka kontaktuar kryetaren e këtij institucioni, Neime Binaku, për ta pyetur përse shkel ligjin në rastin e Selajdin Beqës.
E njëjta, fillimisht ka pranuar të flasë, por pasi ka dëgjuar pyetjen e mediumit tha se “s’mund të flas, sepse tash po futem në një takim” dhe e ka mbyllur telefonin.
AP ka kontaktuar edhe me drejtorin me aktakuzë, Beqën.
Ai fillimisht e mohoi se për këtë rast ka aktakuzë.
I ballafaquar me provën e posedimit të aktakuzës, Beqa tha se “jo i nderuar, asnjë mjet as kurrfarë mjeti s’ka pas as kurrgjë s’ka qenë”, duke mohuar ta ketë sulmuar.
Më pas shtoi se “fillimisht për një proces i cili do të trajtohet nga organet kompetente nuk dua të flas derisa të kryhet. S’kam folur asnjëherë, mos mendo që nuk kam çka me thënë edhe unë. Derisa të kryhet procesi atje nuk dua të flas”.
Kjo histori e pabesueshme e abuzimit nuk përfundon këtu, por fillon.
I gjithëpushtetshmi brenda autoritetit, Beqa, pas konsolidimit të pozitës në institucion fillon një fushatë terrori për punëtorët në përgjithësi dhe për viktimën e dhunës së tij Shemsi Elezin në veçanti.
Elezi më pas do hiqje edhe nga pozita, do të vlerësohej me nota të ulëta e do të dërgohej në komisione disiplinore nga Beqa.
Pasi kryetarja Binaku kishte refuzuar ta largojë Beqën me aktakuzë nga detyra, Shemsi Elezi u kishte dërguar një letër edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, saktësisht Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Trageti dhe Industri.
Në këtë letër të gjatë, të cilën e posedon Albanian Post, Elezi kishte shpjeguar në detaje rastin e tij.
Prapë asgjë. Fuqia e Beqës brenda institucionit veçse ishte rritur e keqpërdorimi shtuar.
Në pjesën e dytë të tekstit, që do të publikohet nesër, e diel, do të tregohet për ngacmimet e shumta brenda institucionit, përcjellja e paautorizuar me kamera, përcjellja jo ligjore e punëtorëve, ngacmimet seksuale, mbyllja e disa punëtorëve për orë të tëra në zyra dhe vëzhgimet me kamera pa dijeninë e stafit.
Gjithashtu, në pjesën e dytë do të sqarohet lidhja e fortë e Beqës me njerëzit e pushtetit që ia mundëson atij të vazhdojë praktikat dhunuese brenda Autoritetit të Konkurrencës, një nga institucionet kryesore në Republikën e Kosovës.