Murati: Vrasja e Faton Hajrizit, dështim i sistemit të drejtësisë
Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim, e ka cilësuar vrasjen e të arratisurit nga Burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizit, nga autoritetet serbe në Loznicë, si një dështim të sistemit të drejtësisë dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Hajrizi, i cili javë më parë u arratis nga burgu i Smrekonicës, ku po vuante dënimin, është i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e dy të tjerëve një ditë më parë në afërsi të kufirit Serbi-Bosnjë e Hercegovinë.
Murati theksoi se rasti i Faton Hajrizit është një sagë e gjatë dhe e dhimbshme për familjen dhe shoqërinë e Kosovës.
Ai e përshkruan këtë situatë si një dështim jo vetëm të sistemit të drejtësisë, por edhe të shoqërisë në përgjithësi, duke nënvizuar nevojën për më shumë punë në integrimin e personave të tillë.
“Ky rast simbolizon problemet më të thella që kemi në shoqëri, duke përfshirë gjendjen e burgjeve dhe situatën brenda tyre. Ne duhet të punojmë që njerëzit të dalin të integruar në shoqëri, e jo të bëhen fundamentalistë fetarë radikalë apo kriminelë më të regjur se kur hynë në burg”, tha Murati në emisionin “Info Plus” në RTK.
Sipas Muratit përgjegjësia duhet të kërkohet tek institucionet, të cilat sipas tij kanë përgjegjësi ligjore për të krijuar rrethana sigurie për të burgosurit dhe për t’i edukuar ata, teksa vuri në dukje se institucionet kanë përgjegjësi edhe kur të burgosurit arratisen dhe duhet t’i kapin ata.
Gjithashtu, Murati foli rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke komentuar planin e sekuencimit për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve, të cilin të dyja palët ia kanë dorëzuar ndërmjetësuesit.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia nuk janë të gatshme për t’u marrë vesh dhe as për të zbatuar marrëveshje, sidomos derisa të sqarohet kush do të jetë në krye të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Për më tepër, Murati theksoi se asnjëra palë nuk do të bëjë hapa thelbësorë në dialog për shkak të zgjedhjeve në Amerikë.