Eksperti i sigurisë: Ekstradimi i kufomës së Fatonit do të ketë edhe implikime tjera

Eksperti i sigurisë: Ekstradimi i kufomës së Fatonit do të ketë edhe implikime tjera

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, ka folur pas vrasjes së të arratisurit nga Burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizit, nga autoritetet serbe.

Gecaj tha se e gjithë kjo tragjedi fillet i ka qysh më herët me trajtimin e Faton Hajrizit nëpër burgjet e Kosovës, në të cilat sipas tij, në qoftë se i referohet videove që ai i ka postuar në rrjete sociale, qartësojnë shumë gjëra për zhvillimet që kanë ndodhur brenda burgjeve të Kosovës.

“Tani, ky rast i vrasjes së tij në territorin e Serbisë i komplikon gjërat edhe më tepër, jo vetëm për familjen e Fatonit, por edhe për shtetin e Kosovës meqenëse vrasja ka ndodhur në një shtet armiqësor për ne, ku fillimisht është vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur e më pas gjatë kësaj ndjekje është vrarë edhe Fatoni vet”.

“Ishte Daciq, ai që me një zell të jashtëzakonshëm u ngut të deklaronte se terroristët shqiptarë kanë hyrë në Serbi dhe e kanë vrarë një polic dhe tendenca ishte e qartë dhe kishte për qëllim që të barazohej krimi në Banjska, ku ishin futur paramilitarë serbë dhe e vranë një polic të Kosovës”, tha Gecaj në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, Gecaj tha se situata aktuale është e palakmueshme edhe për faktin se Kosova e Serbia s’e njohin njëra tjetrën dhe se ekstradimi i kufomës së Hajrizit do të ketë edhe implikime të tjera.

“Kjo gjendje është e palakmueshme edhe për vaktin se Serbia e Kosova s’e njohin njëra-tjetrën dhe ekstradimi i kufomës së Faton Hajrizit do të ketë edhe komplikime të tjera, ku më gjasë do të duhet të përdorën edhe palë të treta që të arrihet një kompromis për kthimin e kufomës së Fatonit në vendlindje”, tha ai.

Shpërndaje në: