Reagon Syla pas vrasjes së Hajrizit: A ka dorëheqje nga ministrat, i burgosuri ju iku dhe u vra në Serbi
Gazetari Valon Syla, ka reaguar pas vrasjes së Faton Hajrizit nga ana e organeve të sigurisë së Serbisë, duke kërkuar përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës, kryeministri dhe ministrat e tij.
Në një postim në Facebook, Syla ka pyetur Kurtin se si është, derisa në katër pika ka renditur rrjedhojën e ngjarjes së Faton Hajrizit, nga arratisja e deri tek vrasja e tij.
Syla ka pyetur se a jep ndokush përgjegjësi dhe dorëheqje për këtë rast.
“O Albin Kurti. Qysh je?
Qeveria Albin Kurti, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla
I burgosuri kosovar;
1. Iku nga burgu.
2. E kaloj kufirin ilegalisht
3. Kreu vrasje nga ikja
4. U vra nga policia Serbe
A ka pergjegjësi dikush. A ka ndonjë dorëheqje, a veç jeni qaty Ministra e Kryeministra me shitë kopalla qysh shitni zakonisht”, ka shkruar Syla.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, ka thënë të premten se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi.
Hajrizi, shtetas i Kosovës, dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb. Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.
Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.