Osmani: Serbia dhe Rusia do të vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe rajonin

Osmani: Serbia dhe Rusia do të vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe rajonin

Presidentja Vjosa Osmani pas punimeve në Londër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, ka thënë se Serbia po përdoret si satelit nga Rusia, me anë të së cilës po tentohet të destabilizohet jo vetëm Kosova, por i gjithë rajoni.

Ajo ka thënë se në tryezën me liderët e tjerë është diskutuar për mbrojtjen e demokracisë dhe luftimin e dezinformatave.

“Edhe kësaj radhe, sikurse në samitet e tjera, Kosova ka dhënë kontribut në këto diskutime. Kemi qenë në tryezën me shumë liderë të tjerë ku është diskutuar për mbrojtjen e demokracisë dhe luftimin e dezinformatave, edhe pse shteti ynë nuk ka lejuar asnjëherë influencë ruse apo të forcave tjera malinje, megjithatë përderisa fqinji, Serbia, përdoret si satelit i Rusisë dhe përderisa edhe vetë i takon mentalitetit të shekullit të kaluar, ata do të vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë jo vetëm shtetin tonë, por gjithë rajonin e nëpërmjet kësaj gjithë kontinentin evropian”, ka thënë ajo në një video të publikuar në Facebook.

Osmani ka shtuar se gjithashtu është diskutuar se si të ecet përpara në procesin e anëtarësimit të Këshillit të Evropës.

“Diskutuam edhe si të ecim përpara në procesin e anëtarësimit të Këshillit të Evropës, kjo në fakt ka qenë ndër temat primare të të gjitha diskutimeve të mia me liderë evropianë, por po ashtu edhe në çdo takim kemi diskutuar si ta rrisim bashkëpunimin bilateral”, ka thënë ajo.

Shpërndaje në: