Tahiri: Të bindur që do të fitojmë në tri betejat për ligjet e KPM-së dhe KPK-së, si dhe për vendimin e statutit të UP-së

Tahiri: Të bindur që do të fitojmë në tri betejat për ligjet e KPM-së dhe KPK-së, si dhe për vendimin e statutit të UP-së

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se i kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese të  Kosovës ligjet për Komisionin e Pavarur për Media dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe vendimin për statutin e Universitetit të Prishtinës, për shkak se janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Ai, në një konferencë për media, ka theksuar se Qeveria po mundohet të ndalë fjalën e lirë të mediave, të kapë sistemin prokurorial, si dhe t’ua mohojë të drejtat stafit akademik të UP-së.

“Kemi proceduar tri beteja të reja në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, PDK-ja konsideron se tri nismat e fundit të miratuara në Kuvendin e Kosovës, dy prej tyre ligje dhe një prej tyre vendim, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe frymën kushtetuese të vendit”.

“Në radhë të parë proceduam Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, konsiderojmë se përmes këtij ligji synohet që të kontrollohet puna e mediave të lira dhe të cenohet fjala e lirë në vendin tonë, tentohet të kontrollohen edhe personat fizik që prodhojnë kontentet e tyre”.

“Poashtu, është edhe Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës përmes këtij ligji pushteti aktual po synon që të kapë sistemin prokurorial, rrjedhimisht organin e akuzës që ka për detyrë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Çështje e tretë është vendimi për statutin e Universitetit të Prishtinës, përmes kësaj konsiderojmë që Qeveria iu ka mohuar të drejta stafit akademik, është nismë që bie në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka deklarur se presin që të dalin fitues nga ky proces që kanë nisur: “Presim që këto tri raste të fitohen dhe të fitojë e drejta në vendin tonë, jemi të bindur se do të fitojmë në këto tri beteja si PDK”.

Shpërndaje në: