Andi Pajaziti deklarohet i pafajshëm për vrasjen e ndodhur vitin e kaluar në “Bon Vivant”

Andi Pajaziti deklarohet i pafajshëm për vrasjen e ndodhur vitin e kaluar në “Bon Vivant”

I akuzuari Andi Pajaziti është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023 në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë. Ai tha se veprën e ka kryer në vetëmbrojtje. Ndërsa, për armëmbajtje pa leje, u deklarua fajtor.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Pajaziti e bëri në seancën fillestare të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Menduhi Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Më pas, mbrojtësi i Pajazitit, avokati Fanol Krasniqi tha se pranimi i fajësisë për veprën e dytë nga i mbrojturi i tij është bërë në konsultim me ta, duke i ditur edhe pasojat. Andaj, i propozoi Gjykatës aprovimin e saj.

Prokurori Kastrati nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga Pajaziti për veprën e armëmbajtjes pa leje, pasi sipas tij është bërë në përputhje të plotë me kushtet që përcaktohen sipas dispozitës së Kodit të Procedurës Penale.

Kurse, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Hilmi Shala tha se nuk pajtohet me kualifikimin juridik, respektivisht me veprën penale për të cilën ngarkohet i akuzuari.

“Pala e dëmtuar konsideron se duke pas parasysh veprimet e të ndjerit, Prokuroria veprimet e të pandehurit është dashur t’i cilësojë si “Vrasje e rëndë”, tha Shala, duke kundërshtuar pranimin e fajësisë të bërë nga Pajaziti për faktin se çështja thelbësore është vrasje.

Edhe i dëmtuari Visar Ramadani tha se e mbështet përfaqësuesin e tij.

Më pas, gjykatësi Eroll Gashi tha se janë plotësuar kushtet për pranim të fajësisë, andaj miratoi pranimin e fajësisë së bërë nga i akuzuari Pajaziti për armëmbajtje pa leje, me arsyetimin se është bërë me vullnet të plotë, duke i ditur pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.

Kurse, meqenëse për veprën e parë “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” i akuzuari u deklarua i pafajshëm, gjykatësi Gashi mori aktvendim se kanë të drejtë deri më 18 gusht të bëjnë kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Në anën tjetër, për armëmbajtje pa leje, tha se shpallja do të bëhet pas përfundimit të çështjes penale.

Prokurori Kastrati tha se mbetet pranë propozimit që ndaj të akuzuarit të vazhdohet masa e paraburgimit pasi konsideron se ekzistojnë kushtet për të cilat është caktuar kjo masë dhe se duhet vazhduar masa me qëllim të zhvillimit të suksesshëm të procedurës penale.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar mbështeti propozimin e prokurorit për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Pajazitit.

“Vdekjen e K., nuk e ka dashtë as Andi”, tha avokati Krasniqi, duke kërkuar që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

Sipas avokatit Krasniqi, plagët e të akuzuarit kanë qenë të rrezikshme për jetë dhe se ajo plagë do t’i mbetet tërë jetën.

“Edhe ajo plagë është dhe do të mbetet tërë jetën dhe i njëjti për atë plagë do të operohet edhe dhjetëra herë. Rrezik të ikjes për Andin nuk ka sepse edhe Andi është i interesuar të marrë pjesë në gjykim”, tha Krasniqi.

Mbrojtësi i të akuzuarit i propozoi gjykatës që t’i ndërpritet masa e paraburgimit Pajazitit dhe t’i zëvendësohet me një masë të arsyeshme.

Më pas, gjykatësi Gashi mori aktvendim me të cilin refuzoi propozimin për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj Pajazitit, ndërsa shtoi se mbetet në fuqi vendimi i datës 2 korrik 2024, me të cilin atij i ishte vazhduar paraburgimi.

Shpërndaje në: