Kosova s’i ka dërguar komentet në Bruksel, Kurti: Ekipi po punon për përgjigjen adekuate e të merituar
Kryeministri Albin Kurti tha se po punojnë ende që “t’i përgjigjen Brukselit në mënyrë adekuate e të merituar”, ndërsa sot është dita e fundit që i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në fillim të muajit ua përmendi kryenegociatorëve si afat për t’i dërguar komentet e tyre mbi planin e sekuencimit për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, raporton Express.
“Ekipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është duke punuar edhe në këtë kohë që ne po flasim, në mënyrë që t’i përgjigjen Brukselit në mënyrë adekuate e të merituar, e për këtë gjë sigurisht që do t’ju njoftojmë edhe juve gjatë ditës së sotme ose më së largu nesër paradite”, tha Kurti në një konferencë për media.
Paraprakisht, ai tha se duhet të respektohet marrëveshja, në mënyrë që “të kemi zbatim të vërtetë”.
“Së pari, para se të kemi kërkesa për zbatim të marrëveshjes, duhet të kemi respektim të marrëveshjes. Nuk do të mund të kemi zbatim të vërtetë e as të qëndrueshëm, nëse nuk kemi respektim të sinqertë e serioz. Serbia këtë nuk e ka bërë. Përkundrazi, e ka shkelur çdo javë”, tha Kurti.
“Ne insistojmë në respektim të marrëveshjes dhe zbatim të marrëveshjes. Për këtë gjë nevojitet nënshkrimi, sepse nënshkrimi do të ishte garanci e sinqeritetit, e seriozitetit, e mirëbesimit për zbatim të marrëveshjes dhe do të spostonte të gjitha ato shkeljet e mëhershme”, shtoi ai.
Në takimin e fundit ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq më 2 korrik, Lajçak kërkoi nga palët që t’i dërgojnë komentet e tyre deri më 18 korrik.
Për rreth shtatë orë u diskutuan një sërë çështjesh, ndërsa Lajçak deklaronte më pas se ishin pajtuar “për një numër të hapave të ardhshëm”.
Një javë pas atij takimi, Lajçak shkroi në Facebook se nuk ishte arritur ndonjë përparim në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.