​Bajrami përplaset me drejtorin e AShNA-së: Ke marrë mëditje për doktoraturë në Zvicër

​Bajrami përplaset me drejtorin e AShNA-së: Ke marrë mëditje për doktoraturë në Zvicër

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA).

Në këtë komisioni pati përplasje mes kryetares, Hykmete Bajrami dhe përfaqësuesve të AShNA-së. Bajrami deklaroi se drejtoresha e auditimit të këtij institucioni është larguar si shkak i drejtorit, Samir Bllacaku. Deputetja e LDK-së, po ashtu ka pretenduar se drejtori i navigacionit ajror ka marrë mëditje për doktoraturën e kryer jashtë vendit.

Bllacaku tha se nuk e pranojnë të gjeturën e katërt të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Kjo është bërë kryekëput vetëm që të pasqyrohet që drejtoresha e njësisë së auditimit është larguar nga puna. Ju mund ta shihni edhe në komentet që janë kthyer që vetëm është si informatë. ZKA nuk ish dashur të bie në atë nivel që të plasojë informata se ky është raport zyrtar edhe ne besojmë që kjo nuk ka të bëjë asgjë me rastin, as largimi i saj nuk është bërë për këtë çështje”, theksoi ai.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, i cili kërkoi që Bllacaku të ketë kujdes me gjykimet ndaj të gjeturave e ZKA-së.

“Ju jeni ekspert financiar, e keni kryer shkollën për auditim apo keni kryer një tjetër profesion dhe merreni me diçka tjetër. Kur plasoni akuza ndaj ZKA-s duhet së paku të jeni në nivel të tyre ose të keni argumente të plota të mbështetura për të refuzuar një të gjetur të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk është e lehtë për të thënë ‘unë nuk po pajtohem me një të gjetur të ZKA-s’, sepse është e gjetur e tyre. Duhet të keni kujdes kur e marrim ta gjykojmë një rast për të cilin, ne, ju apo kushdo tjetër nuk jemi në të njëjtin nivel për të klasifikuar një të gjetur të caktuar si rast në raportin me të cilin sot ne po ballafaqohemi”, ka reaguar Korenica.

Bajrami shtoi se drejtoresha e auditimit të brendshëm është larguar sepse nuk është lënë që të auditojë sistemin e trajtimit.

“Zotëria që e kemi përballë ka kryer doktoraturë në kuadër të atij sistemi, të cilin ka bërë 59 ditë jashtë shtetit në Sangall të Zvicrës, ka marrë doktoraturë. Ky për ditët sa ka qëndruar atje ka marrë mëditje dhe ju kanë paguar shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet e qëndrimit. Janë 12 module që zotëria i ka kryer. A po e kuptoni pse edhe ky atë doktoraturë ia ka aprovuar vetës, ekzistojë dokumente sepse drejtoresha e larguar e auditimit ka dalë tash edhe po fol nëpër media edhe i ka dokumentacionet. Zotëria vetës ja ka aprovuar doktoraturën në 2023. Ti nuk e ke lënë këtë sistemin që të auditohet prej njësisë së auditimit të brendshëm, ty të ka penguar auditorja e brendshme. A dini çka edhe diçka tjetër? Në datën kur Prokuroria Speciale e merr rastin për projektin prej 5,5 milionë euro, auditores së brendshme i ngritet komisioni i dytë disiplinor. Edhe a e dini se cila është arsyeja e komisionit disiplinor që e largon, i thotë ‘ke komunikuar me njësinë qendrore harmonizuese’ në kuadër të Ministrisë së Financave e cila është njësi që e bën harmonizimin dhe mbikëqyrjen e gjithë njësive të auditimit në mbarë Republikën e Kosovës”, ka shtuar Bajrami.

Me këto nuk është pajtuar drejtori i navigacionit ajror, i cili tha se këto informata nuk janë të vërteta.

Bllacaku: Doktoratura që e kam kryer unë e ka pasur vlerën 22 mijë dollar. A e dini sa ka paguar AShNA për mua, zero. Sa i përket qëndrimit tim 59 ditë në Zvicër, nuk është absolutisht e vërtetë sepse nëse i shikoni modulet kanë qenë module hibride. Unë jam ai person që modulet i kam kaluar ka zyrja, e kam kryer modulin në Prishtinë. A po më len tash me fol.

Bajrami: Nëse kanë qenë hibride, a po më tregon sa ditë ke qëndruar?

Bllacaku: Në janar kam qëndruar shtatë ditë, komplet kanë qenë të mbuluara, se ka qenë donacion, zero, për nivelin e lartë.

Bajrami: Nuk ke marrë mëditje prej AShNA-s, se dalin këto të dhëna, kanë me dal?

Bllacaku: Mëditje kom marrë…

Bajrami: Ke marrë mëditje, je shkuar për tu shkolluar për të bërë doktoraturë edhe ke marrë mëditje?

Bllacaku: Qe po e tërhjeki nuk është doktoraturë, është një trajnim”, kanë thënë ata.

Pas replikave mes Bajramit e përfaqësuesve të AShNA-s, ka reaguar deputeti i LVV-së, Halil Thaçi.

“Është dashur të na tregosh që e ke personale me ta, të paktën unë nuk kisha marrë pjesë . Shumë personale e ki. E paske personale edhe s’po mundesh me fsheh hiç, nuk po i njoh këta personat, absolut nuk i kam parë asnjëherë”, tha ai.

Përplasjet mes opozitës dhe pozitës kanë vazhduar, kur deputetja e pushtetit Mirlinda Tishukaj Sadiku përmendi deklaratën e kryetares Hykmete Bajrami se pozita janë “hajna”.

Shpërndaje në: