Rexha: Ligji për KPM-në është i një fryme anti-media

Rexha: Ligji për KPM-në është i një fryme anti-media

Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), tha se Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) me gjithçka që parasheh brenda tij, është i një fryme anti-media.

Sipas Rexhës, mënyra si është zhvilluar i gjithë procesi për Ligjin e KPM-së, sipas bashkësisë ndërkombëtare, raportit të ekspertes dhe vetë atyre, tregon se ka munguar përfshirja e shoqërisë civile, e akterëve-hisedarëve të vërtetë për të dhënë kontributin e tyre në këtë ligj.

Në “Tempus“, ai tha se janë ftuar vetëm një herë në një dëgjim publik dhe kanë pasur një takim në zyrën e Kryeministrit bashkë me Flutura Kusarin dhe Imer Mushkolajn nga Këshilli i Mediave të Shkruara, për të ofruar gatishmërinë e shoqërisë civile për të punuar bashkë. Pra, që ligji të dalë në versionin sa më të mirë.

“Dhe nuk ka ndodhur asgjë, jemi injoruar nga Qeveria e Kosovës derisa e kemi parë më 28 dhjetor të vitit të kaluar kur Qeveria e ka nxjerrë online, në fakt e ka miratuar Projektligjin për ta dërguar pastaj në Kuvendin e Kosovës. E gjithë mënyra se si ka shkuar procesi dhe qëllimi i këtij ligji me gjithçka që parasheh brenda është i një fryme anti-media. Fatkeqësisht, ky është vlerësimi ynë, është i një fryme që ka për synim zvogëlimin e pluralitetit medial në Kosovë, ka për synim kontrollin- disciplinimin në formën më të butë të mediave, sidomos mediave online”, tha Rexha.

Ai tha se problemi që në fillim ka qenë tek ideja që do të ketë një monitorim/kontroll, regjistrim të mediave online që përmbajnë përmbajtje të videove.

Sipas tij, kanë vlerësuar se nuk është koha e duhur për ta bërë këtë gjë ngase KPM-ja ka kapacitet për ta kryer këtë punë derisa monitorion, kontrollon dhe gjobitë televizionet dhe radiot.

“Shtimi i qindra portaleve online do të shërbente si ngarkesë. E dyta, KPM-ja nuk e ka asnjëherë pavarësinë e plotë nga politika. Natyrisht, do ta diskutojmë rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së, mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KPM-së me Ligjin e ri, që besoj do jetë pjesë e diskutimit në vazhdim e që ne besojmë që po bëhet me qëllim nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria për ta kontrolluar KPM-në politikisht dhe për t’i influencuar vendimet e saj kundër medieve në të ardhmen”, tha Rexha.

Sa i përket asaj që deputeti Ramadani tha se reagimi i AGK-së nuk i bën mirë vendit, duke përmendur linqet që janë vendosur në të, Rexhaj tha se për secilin ekzistojnë datat.

“Ato janë me data, do të thotë ka qenë një përmbledhje e të gjitha reagimeve. Pra, kushdo që hyn e sheh që ka ndodhur në maj një reagim, në qershor një reagim dhe atëherë kanë qenë ato propozime dhe e kam ditur që do ta përdorni gjithmonë këtë punë, është më e lehta sepse e keni ditur që është kaq i rëndë propozimi që të kenë partitë politike dhe grupet religjioze, të kenë mundësi të marrin licenca për hapjen e televizioneve”, tha Rexha.

Ai tha se është pritur që ky nen do të hiqet pasi për demokracinë siç është zhvilluar Kosova pasluftës, ka qenë e paimagjinueshme që t’i lejohet partive politike dhe grupeve religjioze të hapin televizione. Rexha tha se me këtë është e qartë që do të merret si shembull gjithmonë kjo.

Kryetari i Bordit të AGK-së shtoi se ndërkombëtarët kanë vlerësuar se Ligji nuk i përmbush standardet evropiane.

Shpërndaje në: