Zyrtare: Muller njofton tërheqjen nga Kombëtarja gjermane
Thomas Muller ka konfirmuar zyrtarisht tërheqjen e tij nga Kombëtarja gjermane e futbollit.
Javën e kaluar u raportua se Muller kishte vendosur të tërhiqej nga futbolli ndërkombëtar.
Tani, veterani 34-vjeçar i Bayern Munich-ut e ka konfirmuar vetë duke postuar një video në YouTube.
“Kur m’u dha shansi të luaja ndeshjen time të parë ndërkombëtare më shumë se 14 vjet më parë, kurrë nuk e kisha ëndërruar se do të ndodhte kjo. Pas 131 ndeshjeve ndërkombëtare dhe 45 golave, sot po i them lamtumirë shqiponjës gjermane”, tha Muller në video.
34-vjeçari shtoi se kishte përjetuar “fitore të mëdha dhe disfata të hidhura” me kombëtaren.
“Ndonjëherë isha i shkatërruar, vetëm për t’u ngritur përsëri – në konkurrencë me lojtarët më të mirë në botë dhe përkrah shokëve fantastikë të skuadrës me të cilët ndava shumë momente të paharrueshme”, tha ai.
“Unë kam qenë gjithmonë krenar që përfaqësoj vendin tim. Dua t’ju falënderoj të gjithëve. Tani do të jem një tifoz në tribuna”, përfundoi Muller.
Muller bëri debutimin e tij për Gjermaninë në vitin 2010 dhe ka bërë 131 paraqitje për ekipin kombëtar, duke shënuar 45 gola dhe duke dhënë 41 asistime.
34-vjeçari është lojtari i tretë i Gjermanisë me më shumë paraqitje, pas vetëm Miroslav Klose (137 paraqitje) dhe Lothar Matthaus (150 paraqitje).
Ai ishte golashënuesi më i mirë në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut me pesë gola dhe ngriti trofeun me Gjermaninë katër vjet më vonë në Brazil.
Sulmuesi do të vazhdojë karrierën e tij në klub me Bayern Munich, ku ka kontratë deri në vitin 2025.