Debati për turizmin, Edi Rama publikon video të plazheve të Velipojës me plot turistë nga Kosova
Pas publikimit të disa fotografive e videove të plazheve të zbrazura në Shqipëri që u interpretuan se ka mungesë të turistëve për shkak të çmimeve të larta, në këtë debat është përfshirë edhe kryeministri Edi Rama.
Në një video të publikuar në faqen e tij të Facebook ai shfaq plazhin e Velipojës me plot pushues, ndërsa në fillim të pamjeve fokuson edhe flamurin e Kosovës.
Plazhi i Velipojës është ndër destinacionet më të frekuentuara në Shqipëri nga pushuesit kosovarë.
“Ne nuk na duhet një Shqipëri destinacion i turizmit masiv. Ne nuk na duhet thjesht të rrisim numrin e vizitorëve të huaj, ne na duhet një vend që i ekuilibron të gjitha shtresat dhe kategoritë e turistëve dhe që arrin të formulojë një ofertë, ku nuk janë numrat në pamje të parë që kanë rëndësi, por është cilësia e numrave. Çfarë do të thotë cilësia e numrave, do të thotë që në varësi të konsumit të një turisti përcaktohet edhe sa interes ke dhe me çfarë pasojash e ushqen këtë interes, që të kesh 1 milion turistë që konsumojnë pak çdo ditë, apo sa interes ke që të kesh 100 mijë turistë më shumë që konsumojnë shumë çdo ditë“ kishte thënë Rama.