Nga një vit e gjysmë burgim ndaj katër të akuzuarve për dallavere rreth regjistrimit të studentëve në UP

Nga një vit e gjysmë burgim ndaj katër të akuzuarve për dallavere rreth regjistrimit të studentëve në UP

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues për katër të akuzuarit Mimoza Beqiri, Behare Bajrami, Ardian Hamiti dhe  Betim Ismajli, duke i dënuar secilin veç e veç me nga 1 vit e 6 muaj burgim.

Katër të akuzuarit ngarkoheshin për falsifikim të dokumenteve, ndërsa e pandehura Bajrami akuzohej edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të premten nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi. Sipas gjykatëses, dënimi me burgim ndaj të akuzuarve do të hyjë në fuqi pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Katër të akuzuarit, secili veç e veç u obliguan që të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 150 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit.

Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, u udhëzuan në kontest juridiko-civil

Për të akuzuarën Behare Bajrami, trupi gjykues pas rikulifikimit të veprës penale nga “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” në “Mashtrim, refuzoi akuzën sa i përket pikës 3, 5 dhe 6, për shkak të arritjes së parashkrimit absulut.

Ndërsa, palët e pakënaqura kundër këtij vendimi brenda afatit ligjor prej 30 ditësh kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.

Në këtë rast Mimoza Beqiri dhe Behare Bajrami akuzoheshin se së bashku me Ermal Durakun, Anton Jakajn, Daut Ademajn, Ilir Muratin, Rajmonda Osmanin dhe Edona Sallahun kishin kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Lajmërim i rremë” nga neni 390, paragrafi 1 të KPRK-së, mirëpo për këto vepra penale ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.

Shpërndaje në: