Regjistrimi i diasporës: Ky është numri i qytetarëve të regjistruar deri më tani
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë dhe se në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon. Aktualisht në diasporë janë regjistruar rreth 600.000.
Ndërsa, sa i përket regjistrimit të komunitetit serb, Agjencia e Statistikave të Kosovës tha se procesi u bojkotua në masë të madhe në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ndërkaq, serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit.
Sipas të dhënave paraprake, në Mitrovicë të Veriut janë regjistruar 2.300 persona, në Zveçan, 435, në Zubin Potok 758 dhe në Leposaviq 3.207.
ASK tha se mosha mesatare në Kosovë është rritur. Më 2011, mosha mesatare në vend llogaritej të jetë rreth 30 vjeç, ndërkaq tani është 34.32.
Gjatë prezantimit të të dhënave u tha se nëntë komuna kanë pasur rritje të popullsisë, ndërkaq 29 të tjera ka pasur rënie. Fushë Kosova prin me rritjen më të madhe prej rreth 84 për qind. Në këtë komunë po ashtu jetojnë më së shumti persona në një metër katror, përkatësisht 762.