Votimi i KPK e KPM, Krasniqi: Shteti sot i dha goditje të fuqishme demokracisë

Votimi i KPK e KPM, Krasniqi: Shteti sot i dha goditje të fuqishme demokracisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka vlerësuar miratimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe atë për Komisionin e Pavarur të Mediave, si goditje për demokracinë.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se PDK-ja do t’i çojë këto dy ligje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. E ka cilësuar miratimin e ligjeve të kritikuara nga ndërkombëtarët si “vazhdimësi të mentalitetit autoritar dhe antikushtetues të Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Sot, fatkeqësisht, demokracisë, lirisë së shprehjes dhe të informimit të pandikuar, si dhe drejtësisë së pavarur nga pushteti, në kundërshtim edhe me çdo praktikë dhe standard evropian, iu dha një goditje e fuqishme nga vetë shteti i cili është i thirrur për t’i mbrojtur e mbështetur këto liri e këto parime. Partia Demokratike e Kosovës do ta kundërshtojë këtë qasje populiste që po e dëmton perspektivën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe raportet e mira me aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët me kohë dhe zëshëm i kanë kundërshtuar ligjet e kaluara sot nga pushteti aktual”, ka shkruar ai.

Pushteti sot i miratoi ligjet për të cilat ka pasur kritika nga opozita, organizata joqeveritare dhe nga bashkësia ndërkombëtare, që konsideronin se miratimi i projektligjit për KPM-në rrezikon ta cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

 

BE-ja, Gjermania e Franca të zhgënjyer pas miratimit të Ligjit për KPK-në dhe KPM-në: Opinionet tona s’u morën parasysh

Shpërndaje në: