Deklaratat për luftë, Mustafa: Liderët shtetërorë po zbaviten me përralla
Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, ka reaguar pas deklaratave të krerëve të shtetit për siç kanë deklaruar ata, rrezikun për luftë që i kanoset vendit nga Serbia.
Sipas tij, kjo është një “udhë pa krye”, pasi konsideron se lidërët shtetërorë po “zbaviten” me “përralla sikur për fëmijë.”
Mustafa, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se është e çuditshme sesi një çështje kaq serioze të mos ketë konfirmimin nga organizata ndërkombëtare sikurse është NATO.
“Një udhë pa krye!
Kur liderët institucional marrin në dorë “këmbanat e luftës” dhe na paralajmërojnë për ditët e luftës që po na presin, të gjithë duhet të ngrihemi në këmbë. Por, kur liderët tanë, zbaviten me këso kërcënime sikur të përralla për fëmijë, Pedri dhe Ujku i cili gënjente fshatarët me thirrjen “ndihmë, është ujku”, atëherë këta liderë janë për keqardhje.
Si ka mundësi, që për një çështje kaq serioze, ekzistenciale, pra se po rrezikohemi nga një luftë, të mos ketë konfirmim nga organizata më e fuqishme ushtarake në këtë rruzull tokësor -NATO- e cila është prezente në vendin tonë dhe ka për mision ta garantojë paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Ballkanit e të Evropës. Si ka mundësi, që për një çështje kaq serioze, ekzistenciale, pra se po rrezikohemi nga një luftë, t’i paralajmërosh qytetarët, por mos ta diskutosh fare këtë kërcënim me Kuvendin e Kosovës, si organi i vetëm Kushtetues për shpalljen e gjendjes emergjente apo gjendjen e luftës. Si ka mundësi, që për një çështje kaq serioze, ekzistenciale, pra se po rrezikohemi nga një luftë, të gjesh kohë “ta korrësh grurin” në arat e Malishevës.
Të gjithë po e kuptojmë se plasimi i këtyre kërcënimeve tek qytetarët e Kosovës ka për qëllim të krijojë pasiguri dhe ankth. Ky Pedri ynë që po na lajmëron se është ujku, a i shkon në mendje se si ndihen qytetarët tanë, e veçanërisht ata që janë afër kufirit me ujkun, pra ata të pjesës veriore të Kosovës kur dëgjojnë këto paralajmërime ogurzeza?
Të jesh lider i një institucioni shtetërorë dhe të argëtohesh me këso “kërcënime” është e pafalshme.
Qytetarët e Kosovës dhe Aleatët e saj më të fuqishëm në botë të cilët mbajnë 50% të ekonomisë botërore, i kanë treguar vendit tonë fqinj se ëndrra e saj për ri-kthim në Kosovë është e parealizueshme.”
Ai ka thënë se Serbia tashmë e di se çka nënkupton të kesh një armik si Kosovën.
“Fqinji ynë, tashmë e di se çka nënkupton të kesh një armik si Kosovën…
Me luftën tonë dhe me mbështetjen e Aleancës Perëndimorë kemi fituar në rrethana shumë më të vështira sesa që jemi sot. Andaj, ju them qytetarëve të Kosovës, në veçanti atyre që jetojnë në veri të vendit tonë, si dhe të gjitha komuniteteve të tjera, që të qëndrojnë të qetë dhe të vazhdojnë ta zhvillojnë bashkëjetesën sepse demokracia, paqja, siguria e zhvillimi ekonomik është e ardhmja ynë në këtë shtetin e ri që e mban emrin Republika e Kosovës”.