Kuvendi voton statutin e ri të UP-së
Kuvendi i Kosovës ka miratuar statutin e ri të Universitetit të Prishtinës me 57 vota për, dy kundër dhe dy abstenime. Në total, 61 deputetë morën pjesë në votim.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, njoftoi se statuti i ri u miratua me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm.
“Kështu që me 61 deputetë që kanë marrë pjesë në votim, konstatoj që kalon Statuti i Universitetit të Prishtinës”, deklaroi Konjufca pas votimit.
Votimi për statutin e ri u mbajt në prani të deputetëve të pozitës.
Ndër të tjera, statuti parasheh një funksion më të decentralizuar të universitetit, duke bartur e saktësuar përgjegjësitë dhe llogaridhënien menaxheriale drejt rektorit dhe dekanëve, ndërsa në anën tjetër parasheh rol më të fuqizuar akademik të senatit dhe këshillave të njësive akademike.