Ambasada e Italisë: Kosovës duhet t’i hiqen masat në mënyrë graduale

Ambasada e Italisë: Kosovës duhet t’i hiqen masat në mënyrë graduale

Pavarësisht se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, përmes raportit të tij të dorëzuar tek shtetet anëtare ka rekomanduar heqjen e masave ndaj Kosovës, një gjë e tillë ende s’ka ndodhur.

Brenda shteteve anëtare s’ka një qëndrim të unifikuar për mënyrën e largimit të tyre. Disa kërkojnë heqje të plotë, disa graduale. Heqjen graduale po e kërkon Italia e kryeministres Giorgia Meloni.

Në një përgjigje për Gazetën Express nga Ambasada e Italisë në Prishtinë kanë konfirmuar Roma zyrtare mbështet heqjen e masave të BE-së kundër Kosovës dhe besojnë se heqja duhet të bëhet në mënyrë graduale.

“Italia përkrah heqjen e masave të vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës dhe, në përputhje me konkluzionet e miratuara në Këshill në Bruksel në dhjetor, besojmë se kjo duhet të bëhet në mënyrë graduale”, kanë thënë për Express nga Ambasada e Italisë në Prishtinë.

Sa i përket asaj nëse Italia ka bërë ndonjë propozim për atë se me çfarë mund të fillohet heqja e masave, nga Ambasada e Italisë kanë thënë se s’mund të japin ndonjë informacion specifik në këtë fazë.

“Diskutimet janë duke vazhduar, prandaj, nuk është e mundur të iu japim ndonjë indikacion specifik në këtë fazë”, kanë thënë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë.

Lidhur me heqjen e masave të mërkurën për Gazetën Express kanë folur edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë. Zëdhënësi Christian Boettcher, ka thënë se Berlini zyrtar përkrah heqjen e masave ndaj Kosovës dhe ka shtuar se është në duart e Qeverisë së Kosovës që të krijojë atmosferë pozitive për të siguruar konsensusin e nevojshëm në Këshill.

Në media ka pasur raportime të thirrura në burime se edhe Franca e presidentit Emmanuel Macron është për heqje graduale të masave ndaj Kosovës.

Kosova vazhdon të jetë nën masat e Bashkimit Evropian që nga qershori i vitit 2023. Përfaqësuesi i Lartë i BE-, Josep Borell, ka hartuar një raport përmes të cilit ka rekomanduar heqjen e masave ndaj Kosovës, megjithatë tashmë mbetet në dorën e secilit shtet anëtar veç e veç se si do të procedohet tutje me masat.

“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”, thuhet në raportin e Borell për rekomandimin që Kosovës t’i hiqen masat, të cilin spanjolli ua ka dorëzuar shteteve anëtare në qershor.

BE-ja kishte vendosur ta sanksionojë Kosovën me masa pasi Qeveria e Kosovës nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti s’kishte përfillur kërkesat e aleatëve, SHBA-së e QUINT-it, për të mos i çuar kryetarët shqiptarë në objektet komunale në 4 qytetet në Veri të vendit.

Shpërndaje në: