29-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, Krasniqi: Kriminelët serbë enden të lirë, pa marrë dënimin e merituar

29-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, Krasniqi: Kriminelët serbë enden të lirë, pa marrë dënimin e merituar

Kuvendi i Kosovës, në 29-vjetorin e Masakrës së Sbrenicës, ka miratuar deklaratën në përkujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës.

Kryetari i Partisë Demokratike së Kosovës, Memli Krasniqi përmes një postimi në “Facebook”, pas miratimit të kësaj Deklarate ka shkruar se u miratua për të dhënë mesazhin se nuk do të harrohet kurrë.

“Sot, në Kuvendin e Kosovës, miratuam Deklaratën për Mbështetjen e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, për të dërguar mesazhin e qartë: Ne nuk do të harrojmë asnjëherë,” shkruan Krasniqi.

Teksa shton se “29 vite më parë, në Srebrenicë, regjimi kriminal serb kishte kryer aktin më të tmerrshëm të gjenocidit që nga Lufta e Dytë Botërore, duke vrarë në gjakftohtësi dhe me paramendim 8372 civilë të paarmatosur.”

Ai thotë se edhe sot kriminelët serbë vazhdojnë ende të lirë pa marrë dënimin e merituar.

“Kriminelët serbë, të udhëhequr nga kasapi Ratko Mladiç, nuk kishin kursyer askënd. Fatkeqësisht, edhe sot, qindra kriminelë serbë që sollën shumë vdekje e shumë dhembje në tërë Ballkanin, vazhdojnë të enden të lirë, pa marrë asnjëherë dënimin e merituar,” ka shkruar Krasniqi.

Shpërndaje në: