Arratisja e të dënuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviq, Elshani: Vendimi i Gjykatës na erdhi në ora 15:00, s’e gjetëm në shtëpi

Arratisja e të dënuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviq, Elshani: Vendimi i Gjykatës na erdhi në ora 15:00, s’e gjetëm në shtëpi

Gjykata Themelore në Prishtinë me datën 28 qershor 2024, ditën e shpalljes së aktgjykimit për vrasjen së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, kishte caktuar edhe masën e paraburgimit ndaj Marko Roshiq, të cilin e kishte dënuar me 10 vjet burgim.

Por, i akuzuari Roshiq më të kuptuar vendimin e gjykatës për dënimin ndaj tij është arratisur dhe deri me tani rezulton i paarritshëm për Policinë e Kosovës.  

Në aktvendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tijthuhet se masa paraburgimi caktohet deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, duke mos e kaluar dënimin e vërtetuar-shqiptuar në kohëzgjatje prej 10 vite burgim.

Në aktvendim thuhet se Stacioni Policorë në Mitrovicën e Veriut, duhet të bëjë ekzekutimin e këtij aktvendimi dhe të dënuarin ta arrestojnë dhe ta njoftojnë gjykatën.

“Obligohet Stacioni Policor në Mitrovicën e Veriut, të bëjë ekzekutimin e këtij aktvendimi, ku me rastin e ekzekutimit të këtij aktvendimit të akuzuarin ta arrestoj dhe dërgoj në Qendrën e Paraburgimit me qëllim të ekzekutimit të këtij vendimi”, thuhet në aktvendimin.

Lidhur me këtë, zëvendësdrejtori i Policisë për veri ,Veton Elshani, ka thënë se aktvendimin e gjykatës e kanë pranuar rreth orës 15:00 në ditën kur është shpallë dënimi i tij dhe menjëherë janë mobilizuar për arrestimin e tij.

“Kemi qenë me arrestu po atë ditë 28.06.2024. Menjëherë kur e kemi pranuar aktvendimin kemi shku me arrestu, mirëpo nuk ka qenë në shtëpi. Aktvendimin e kemi pranuar rreth orës 15:00”, ka dhënë Elshani.

Caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dënuarit Marko Rashiq, gjykata e ka arsyetuar edhe me rrezikun e arratisjes së tij. Aty thuhet se ekzistojnë rrethana të cilat e vënë në pah faktin se i akuzuari mund t’i shmanget ndjekjes penale, pasi i njëjti ka dy shtetësi, atë të Kosovës dhe të Serbisë, gjë që ia lehtëson arratisjen.

“Sa i përket rrezikut të ikjes, ekzistojnë rrethana të cilat vënë në pah faktin se i akuzuari me qëndrimin e tij në liri ekziston rreziku real se do t’i shmanget ndjekjes penale. I njëjti është shtetas i Republikës së K., po ashtu është edhe shtetas i Republikës së S. e ku shumë lehtësisht mund të arratiset e të ik në Republikën e S. e të jetë i pa-arritshëm në këtë çështje penale. Faktin e ikjes edhe më real e bënë mosbashkëpunimi juridik ndërkombëtar e as rajonal në çështjet penale ndërmjet Republikës së S. dhe Republikës së Kosovës e që e bënë më të pamundur sigurimin e të akuzuarit me rastin e ikjes në S”, thuhet në aktvendim.

Gjykata, me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj Rashiq ka marrë në konsideratë dhe seriozitetit e veprës penale dhe dënimin e shqiptuar.

“Gjykata, në rastin konkret këtij të akuzuari i ka shqiptuar dënimin me burgim prej 10 vite, ku është dënim i tejet i lartë dhe paraqet një vepër serioze të kryer nga i akuzuari, apo paraqet vepër serioze për të cilën potencialisht i akuzuari mundë të arratiset për t’i ikur dënimit të shqiptuar me këtë aktgjykim në rast të mbetjes në fuqi të aktgjykimit me të cilin është gjetur fajtor dhe ekzekutimit të sanksionit penal”, thuhet në aktvendim.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 qershor 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku katër të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me mbi 20 vite burgim së bashku.

Në shpallje të aktgjykimit, gjykatësi Valon Kurtaj kishte deklaruar se me aktvendim të veçantë, Roshiqit do t’i caktohet masa e paraburgimit /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: