Hamza: Bujqit që e punojnë tokën do më kenë gjithnjë në krah në qeverisje
“Të korrat e sivjetme të grurit plot bereqet”, tha Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, pas një vizite nëpër kultivues të drithërave në Skenderaj.
“Sot, jam i lumtur kur shoh sukseset dhe zhvillimin e tyre. Jam i lumtur që edhe shumë i janë rikthyer bujqësisë, sepse është një prej mundësive të mira që kemi”, shkroi Hamza.
Postimi i plotë:
Pas një pune të lodhshme, por me kujdes të veçantë për mbjelljet, të korrat e sivjetme të grurit janë plot me bereqet. Për ta arritur prodhimin e dëshiruar duhet shumë punë dhe këtë më së miri na e dëshmojnë bujqit tanë. Fatmirësisht, sivjet edhe kushtet klimatike i kishim të favorshme. Në mullirin e Musa Gashit në Skenderaj, ku e dorëzojnë grurin një pjesë e banorëve të Drenicës, sot me Fadilin, Uranin e Përparimin i takuam disa prej kultivuesve të drithërave.
Bujqit që me ndershmëri e punojnë tokën dhe i mbajnë familjet e tyre, i mbushin sofrat tona me prodhime vendore, do të më kenë gjithnjë krah pune në terren e mbështetës të gjithanshëm në qeverisje.
Ka qenë sfidë kur e patëm filluar përkrahjen për bujqit, por ishte domosdoshmëri që të mos i linim të dilnin prej sektorit ata që na kishin mbetur. Sot, jam i lumtur kur shoh sukseset dhe zhvillimin e tyre. Jam i lumtur që edhe shumë i janë rikthyer bujqësisë, sepse është një prej mundësive të mira që kemi. Përmes bujqësisë, blegtorisë, agropërpunimit, agroturizmit dhe turizmit malor, ku do të projektojmë masa të reja mbështetëse për ta shtuar aktivitetin ekonomik, ne mund t’i zhvillojmë zonat rurale dhe fshatrat e Kosovës.
Bashkërisht do ta bëjmë këtë, për tokën tonë, për Kosovën!