Sindikata e Punëtorëve të RTK-së e mirëpret dorëheqjen e Shkumbin Ahmetxhekajt
Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka thënë se e mirëpret dorëheqjen e Shkumbin Ahmetxhekajt nga pozita e drejtorit të RTK-së.
Ahmetxhekaj kishte ofruar dorëheqjen e tij nga ky post me 23.05.2024, por u bë publike nga bordi më datë 07.07.2024.
Sindikata ka thënë se Ahmetxhekaj, sipas tyre, ka dështuar në sigurimin e pronës së RTK-së dhe të rritjes së mirëqenies për punëtorët, si dhe të reformës organizative.
“Sindikata e ka kundërshtuar në vazhdimësi procesin e Reformës organizative përmes secilës ka pasur tendenca për largim të punëtoreve dhe degradim, këtë e kemi kundërshtuar publikisht, por edhe në procesin e punës në takimin final për Reformën.Ju bëjmë me dije të gjithëve, por edhe atyre që synojnë ardhjen në krye të RTK-së që çfarëdo tendencë për largimin e punëtoreve nga puna do të hasë në kundërshtim të fortë ligjor, por edhe me pasoja ligjore për vetë individin” , thuhet në reagimin e sindikatës.
Në fund të reagimit, sindikata ka thënë se pret nga Bordi i RTK-së që të organizojë një konkurs të rregullt për pozitën e drejtorit në afat ligjor, por gjithashtu kanë thënë se presin që të kompletohen të gjitha pozitat që janë me ushtrues detyre e që janë të rëndësishme për funksionimin e RTK-së.
Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) me 07.07.2024 ka njoftuar se Zana Spahiu është emëruar ushtrues detyre e Drejtoreshës së Përgjithshme të RTK-së, pas dorëheqjes së Ahmetxhekajt.Në reagimin e tij, Ahmetxhekaj ka thënë se dorëheqja e tij nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së është një kulmim, sipas tij, i një presioni politik 7 mujor.