Deklaratat e krerëve për sulme të reja nga Serbia ‘trembin’ investitorët – OEK ka një kërkesë urgjente për liderët
Deklaratat e vazhdueshme të krerëve të shtetit tonë se Serbia po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës, po ndikojnë negativisht në aspektin ekonomik.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe liderët e vendit të jenë më të kujdesshëm siç thotë ai me mesazhet që po përçojnë tek përfaqësuesit e jashtëm. Këto deklarata për pasigurinë dhe paralajmërimet për ndonjë sulm të ri, sipas tij po bëhen pengesë për thithjen e investimeve të huaja në vend.
Rafuna thotë se pavarësisht që temat me Serbinë janë të hapura, kjo çështje sipas tij nuk duhet të jetë pengesë që shteti të punojë më shumë për të sjellë investime të huaja në Kosovë dhe për të dëshmuar që vendi është shtet stabil dhe miqësor.
Kreu i OEK-ut, Rafuna në një intervistë ka folur edhe për bashkëpunimin me Shqipërinë dhe ka kërkuar të thellohet edhe më shumë.
Duke folur për zhvillimin ekonomik të vendit, Rafuna vlerëson se përfaqësuesit e shtetit duhet të përçojnë sa më shumë mesazhe pozitive që Kosova është vend i qetë dhe stabil i të berit biznes.
“Një ndër pengesat pse investimet e huaja nuk vijnë në Kosovë, janë mesazhet që po përçohen. Kërkesa jonë është që të jemi të kujdesshëm shumë me mesazhet. Ne duhet të përçojmë mesazhe që Kosova është një vend shumë stabil, një vend miqësor i të bërit biznes, një vend i hapur për të thith investime të huaja që siguron investime të huaja në Kosovë. Ndërsa, sa i përket pikave të hapura që kemi me Serbinë sa më shpejtë që i mbyllim, është më mirë për Kosovën dhe gjithë rajonin.
Kështu, kërkesa jonë gjithmonë ka qenë që sa më shpejtë të vijmë tek një marrëveshje finale me Serbinë, me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe të ofrohet një mundësi më e madhe, një siguri më e madhe për investitorët e huaj të vinë të investojnë këtu. Mirëpo, serish përkundër që i kemi të hapura temat me Serbinë, nuk është pengesë që ne të punojmë, të lobojmë të sjellim investime të huaja në Kosovë duke dëshmuar investitorëve, që Kosova është shtet stabil dhe miqësor”, deklaron Rafuna.
Sa i përket bashkëpunimit ekonomik me Tiranën, Rafuna thotë se propozimi i OEK-ut është që në kufirin Kosovë-Shqipëri të kalohet me një sistem unik të vlerës së shtuar dhe malli të mos i nënshtrohet procedurave doganore.
“Ne kemi ngrit zërin që ka shumë hapësirë dhe mundësi për Shqipërinë të lehtësohen procedurat. Kemi ende shumë procedura administrative që jo vetëm që kanë koston materiale, në kuptimin që është shpenzim për biznesin, mirëpo merr edhe kohë deri të kryhen procedurat. Ka mundur të thjeshtësohen dhe të eliminohen shumë barriera administrative. Në kemi propozuar që Shqipëri-Kosovë të kalohet me një sistem unik të tatimit të vlerës së shtuar dhe malli të mos i nënshtrohet procedurave doganore, por me një faturë të TVSh-së të qarkullojë mes dy vendeve, dhe kjo do të kursente edhe kohen e biznesit por edhe koston e të berit biznes mes dy vendeve tona”, nënvizon Rafuna.
Rafuna rithekson se me liberalizimin e vizave ka rënë edhe qarkullimi i bizneseve.
“Pak më e ndjeshme kohëve të fundit është situata në gastronomi ku për shkak të liberalizimit të vizave ka filluar të bie qarkullimi aty. Shumë të rinj e kanë mundësinë të vizitojnë kryeqendra të Evropës, dhe për një vikend bëjnë një shpenzim goxha të madh dhe më pas kjo reflektohet brenda, për shkak që tkurret kërkesa. Mirëpo pritjet tona janë që deri në shtator kjo situatë të stabilizohet. Mungesa e fuqisë punëtorë, mosfresikimi i politikave fiskale, masat administrative dhe jo administrative që i kemi, sidomos sfidat me vendet e rajonit që na rrethojnë”, thotë ai.
Megjithatë, ai thotë se pavarësisht liberalizimit, pritjet janë që të ketë një fluks të diasporës dhe në këtë drejtim të shtohet qarkullimi financiar te bizneset.
“Pritjet janë që do të ketë një fluks të diasporës, mirëpo anën tjetër kemi edhe liberalizimin e vizave, ku shumë kosovarë kanë shkuar tek familjaret e tyre jashtë vendit, dhe kjo do të ketë një impakt. Mirëpo pritjet janë që do të ketë bashkatdhetarë dhe do të ketë një qarkullim më të madh gjatë këtyre muajve të verës, sidomos në gastronomi, dhe turizëm”, thotë Rafuna.
Duke folur për sfidat e bizneseve, Rafuna uron që të ndryshojë qasja e qeverisë karshi sektorit privat, dhe në çdo vendim që prek bizneset të kërkohet edhe opinioni i tyre.
“Ka ndikuar shumë, nuk e kemi asnjë lëvizje në politikat fiskale, kemi ligjet të cilat nuk merren për bazë opinionet e biznesit. Kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare që bëhen pa dijen e biznesit ose pa konsultim me bizneset. Ka shumë hapësirë për të përmirësuar ambientin e të berit biznes.
Tani së fundi ka filluar, kemi pas dy takime të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe investime, pritjet tona janë që së paku tashmë të ndërrohet kjo metodologji dhe të merret për bazë edhe opinioni i sektorit privat, pasi që nuk kërkon diçka jashtë ligjit, nuk kërkon diçka që nuk e kanë bizneset e rajonit apo të BE-së, vetëm kërkon trajtim të mirë korrekt dhe të sinqertë që të rrisë aktivitetin”, përfundon Rafuna. /KosovaPress