E habitshme: Mbappe bëri fushatë për të votuar kundër partisë së djathtë ekstreme, Le Pen: Mos mbaj ligjërata
Zgjedhjet parlamentare në Francë po mbahen dy ditë përpara se ekipi kombëtar i futbollit të përballet me Spanjën në gjysmëfinalen e kampionatit Euro 2024 në Gjermani.
Në fillim të kësaj jave, kapiteni i Francës, Kylian Mbappé i cilësoi rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Francë si “katastrofike” dhe u kërkoi votuesve të dalin masivisht dhe ta shmangin kërcënimin e një qeverie të kontrolluar nga Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, kur u hapën vendvotimet për balotazhin të dielën.
Në të fundit nga disa ndërhyrje nga anëtarët e ekipit kombëtar të futbollit të Francës, Mbappé paralajmëroi se vendi duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të siguruar që partia e djathtë ekstreme, anti-imigracion nuk është në gjendje ta marrë pushtetin në atë që është bërë një betejë e trazuar politike, shkruan The Guardian.
“Është një situatë urgjente” tha ai kur u pyet për mendimet e tij mbi rezultatet e para që panë Tubimin Kombëtar të fitojë 33% të votave në rundin e parë.
“Nuk mund ta lëmë vendin tonë të bjerë në duart e këtyre njerëzve. Është e ngutshme. Ne i pamë rezultatet, është katastrofike. Ne me të vërtetë shpresojmë se do të ndryshojë: që të gjithë do të mblidhen së bashku, do të shkojnë të votojnë dhe të votojnë për partinë e duhur”.
Vërejtjet e tij u pasuan me një qortim të fortë nga Le Pen, e cila tha se pavarësisht se është një futbollist “shumë i mirë”, Mbappe nuk duhet t’u “ligjërojë” votuesve francezë.
“Francezët janë të ngopur me leksionet dhe këshillimin se si të votojnë”, tha Le Pen në një intervistë për CNN të premten.