Stikersat e vendosur me foton e terroristit të vrarë në Banjskë, Policia ndalon edhe tre persona të tjerë
Në orët e para të ditës së sotme, në rrugët në Mitrovicën Veriore është kapur në flagrancë një person teksa vendoste stikersa në lokacione të ndryshme. Fotoja e një terroristi të vrarë në Banjskë ishte në shumicën prej stikersave.
Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari që u arrestua është një person i moshës së mitur, i cili po dyshohet për nxitje të përqarjes dhe mosdurimit.
Siç mësoi Sinjali, në stikersat që po shpërndante i mituri ishte e vendosur fotoja e Stefan Nedeljkoviq, terroristi i vrarë gjatë sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
Të dyshuarit që u kap mat nga Policia i janë gjetur mbi 80 stikersa me foton e Nedeljkoviq – që janë sekuestruar si prova materiale.
Lidhur me këtë rast është njoftuar Policia e Kosovës, ku zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se përpos një personi të kapur në flagrancë, janë ndaluar e intervistuar edhe tre persona të tjerë, ndërsa për të pestin tha se po punojnë “në drejtim të asaj që të intervistohet”.
“Mbrëmë rreth orës 01.00 në mëngjes, një person është has duke ngjit disa pamflete që pas verifikimit ka sjell deri tek inicimi i rastit nxitje e urrejtes. Ky person me urdhër të prokurorit është ndalu dhe deri tani janë identifiku edhe katër persona të tjerë”, tha Elshani.
Elshani tha se janë bastisur edhe shtëpitë e secilit prej atyre që u intervistuan dhe se gjatë kontrolleve në shtëpitë e tyre në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok janë gjetur “mbi 1500 pamflete”.
“Tre nga ta janë intervistu, janë gjetë prova materiale që e mbështesin veprën nxitje e urrejtjes dhe momentalisht jemi duke punu në drejtim të asaj që të intervistohet edhe personi i 5-të në lidhje me këtë rast”, tha ai.
Elshani tha se “përpos personit të parë që është arrestu, tre të tjerët pas intervistimit janë liru në procedurë të rregullt”.
“Të gjithë personat e identifikuar apo të intervistuar (duke përfshir edhe të ndaluarin) janë të mitur”, saktësoi Elshani.