Arrestohet një i mitur në veri, vendosi posterë me figurën e terroristit në Banjskë
Gjatë orës 1:00 pas mesnate, Policia e Kosovës ka hasur tek një person, i cili dyshohet se ka qenë duke i vendosur disa pamflete në mure dhe pjesë të ndryshme të veriut të vendit.
Këtë e ka konfirmuar për Periskopin, zëvendësdrejtori i rajonit të Mitrovicës, Veton Elshani duke shtuar se i dyshuari ka kryer veprën penale “nxitje të urrejtjes”. Teksa ka shtuar se gjithsej janë pesë persona të dyshuar, ku njëri nga ta është arrestuar, tre të tjerë janë liruar dhe njëri akoma vazhdon të intervistohet nga organet e rendit.
Elshani shtoi se të gjithë personat e dyshuar për veprën penale “nxitje e urrejtjes” janë të moshës së mitur.
“Mbrëmë rreth orës 01.00 në mëngjes, një person është has duke ngjit disa pamflete që pas verifikimit ka sjell deri tek inicimi i rastit nxitje e urrejtjës. Ky person me urdhër të Prokurorit është ndalu dhe deri tani janë identifikuar edhe katër persona të tjerë. Tre nga ta janë intervistua, janë gjetë prova materiale që e mbështesin vepren nxitje e urrejtjes dhe momentalisht jemi duke punu në drejtim të asaj që të intervistohet edhe personi i 5-të në lidhje me këtë rast”, shtoi ai.
“Përpos personit të parë që është arrestu, 3 të tjerët pas intervistimit janë liru në procedurë të rregullt. Të gjithë personat e identifikuar apo të intervistuar (duke përfshir edhe të ndaluarin) janë të mitur”, ka deklaruar Elshani.
E në fotografi nga Policia e Kosovës shihet se në afishe ka qenë figura e terroristit serb, Stefan Nedeljkoviq.