U ngjit në telat elektrikë të trenit, plagoset rëndë kosovari 14-vjeçar
Vetëm një operacion urgjent i shpëtoi jetën, por 14-vjeçari do të mbetet përgjithmonë me pasoja nga aksidenti i tmerrshëm elektrik.
Të enjten në mbrëmje (4 korrik), i riu kosovar ishte ngjitur në një autocisternë që po qëndronte në stacionin e trenit në Wolfratshausen (Bavari) së bashku me dy shokë 16-vjeçarë. 14-vjeçari kishte ngritur pjesën e sipërme të trupit dhe ishte kapur në telin e sipërm, duke bërë kështu që të pësojë një goditje të fuqishme elektrike dhe të bjerë në tokë.
Ndërsa njëri nga shoqëruesit e tij u përpoq ta ndihmonte, shoku tjetër u largua i tronditur, shkruan bild.de. Edhe 16-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda, por jashtë rrezikut për jetën.
Një dëshmitar e ka vëzhguar incidentin dhe ka lajmëruar shërbimet e urgjencës. Një patrullë nga PI Wolfratshausen ishte afër dhe shpejt arriti në vendngjarje.
Reparti i zjarrfikësve vullnetarë të Wolfratshausen-it e e ka ndërprerë linjën elektrike, në mënyrë që të mos përbënte më rrezik.
Pasi i është dhënë ndihma fillestare të plagosurit rëndë, ai është dërguar me helikopter shpëtimi në një klinikë speciale në Mynih.
Mjekët e urgjencës zbuluan se 80 për qind e sipërfaqes së trupit të tij ishte djegur.
Pas një operacioni emergjent, gjendja e të riut kosovar është stabilizuar, transmeton albinfo.ch. Por ai me siguri do të mbetet në fund të jetës së tij me pasojat e aksidentit.
Paralajmërim urgjent nga Policia Federale
Policia Federale paralajmëron urgjentisht për rreziqet në zonën e binarëve të trenit, përcjell albinfo.ch. “Nga teli me energji prej 15,000 voltësh mund të krijohet një hapësirë elektrizuese e rrezikshme për jetën, edhe pa kontakt të drejtpërdrejtë”, paralajmëron zëdhënësja e Policisë, Federale Sina Dietsch.
Objektet hekurudhore nuk janë të përshtatshme për qëndrimin tuaj – pavarësisht nga arsyeja. Ka rrezik për jetën si në binarë, ashtu edhe në vagona! Në funksion të pushimeve të ardhshme verore, veçanërisht prindërve u kërkohet të informojnë fëmijët e tyre për rreziqet.