KQZ-ja ia heq Alfred Belerit mandatin e kryebashkiakut të Himarës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka njoftuar sot se ia ka hequr Alfred Belerit mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, pasi Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin e tij me burgim muajin e kaluar.
Beleri u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash dhe u dënua me dy vjet burgim në mars.
Apeli e konfirmoi dënimin e tij në qershor.
Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, tha të premten Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së.
Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, i fitoi zgjedhjet e majit 2023 si kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës – qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë.
Ai ishte i pranishëm në seancën që u zhvillua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të premten dhe u përcoll nga forcat e policisë nga burgu i Fierit, ku po e vuan dënimin.