Gjykata ua vazhdon paraburgimin edhe për 2 muaj të dyshuarve për spiunazh

Gjykata ua vazhdon paraburgimin edhe për 2 muaj të dyshuarve për spiunazh

Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për spiunazh – Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi”, të cilët ishin arrestuar në fillim të muajit qershor.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve B.Sh dhe M.Q, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 05.07.2024  ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit dy të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë për “Betimi për Drejtësi”.

Bedri Shabani bashkë me Qerimin ishin arrestuar nën dyshimin se janë marrë me aktivitete të spiunazhit.

Sipas PSRK-së, dy të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 3 të Kodit Penal, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, B.Sh dhe M.Q., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.

Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh, ka bërë të ditur se në shtëpitë e dy të dyshuarve që u arrestuan të mërkurën për spiunazh, u gjetën dhe sekuestruan dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë, municione, maska, gasmaska ushtarake dhe shumë dëshmi të tjera.

Sipas Policisë, arrestimi i të dyshuarve erdhi pasi në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë speciale, janë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për spiunazh. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: