Demantohet Peci: As këtë vit nuk sigurohet buka e motmotit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, deklaroi sot se për herë të parë pas luftës është siguruara buka e motmotit, por ndryshe nga ministri dhe deklarata e tij, flasin nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës, të cilët thonë se as këtë vit nuk presin që të përmbushët sasia e mjaftueshme e rendimentit të grurit dhe miellit.
Kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu nuk ka pritshmëri se këtë vit do të sigurohet sasia e bukës për një vit.
Zejnullahu deklaroi se Kosovës i nevojitën rreth 300 mijë tonë grurë e sukses është nëse sigurohen afro 200.
“Për këtë vit nuk kemi shifra ende se nuk jemi në mes të sezonës. Nuk pres as këtë vit që të sigurojmë bukën e motmotit se me numra është problem të dalim saktësisht tani. Kosovës i nevojitën rreth 300 mijë tonë grurë për një vit kalendarik. Nëse arrihet në 150 apo 200 mijë tonë është sukses”, deklaroi Zejnullahu.
Ai tutje, bëri të ditur se çmimet e grurit nuk do të rritën.
“Çmimet janë stabile nuk pritën të kenë ngritje. Ka grurë dhe kualitet më të mirë se vitin e kaluar, theksoi Zejnullahu.
Megjithatë, ministri Peci në një video të publikuar në Facebook thotë se “Të dhënat nga terreni tregojnë se fatbardhësisht për herë të parë në historinë e Kosovës së pasluftës ne sigurojmë bukën e motmotit…Një angazhim i tillë është falë përkrahjes së qeverisë, punës së zellshme të fermerëve dhe begatisë prej Zotit”.
Ministri i Bujqësisë theksoi se kjo është edhe një tregues i qartë se me angazhim të sinqertë dhe punë meritore nuk ka objektiv që nuk arrihet.
“Zoti e bekoftë bukën e Kosovës, Zoti e bekoftë popullin e Kosovës”, tha ai.