Turqia thërret ambasadorin gjerman pas presionit për të dënuar Demiralin
Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë ka thirrur ambasadorin gjerman në Ankara, Jurgen Schulz, pas një hetimi disiplinor të nisur nga UEFA ndaj futbollistit turk Merih Demiral. Hetimi ka të bëjë me një gjest të bërë nga Demiral, pasi shënoi një gol gjatë ndeshjes së Euro 2024 mes Turqisë dhe Austrisë të martën.
Deklarata e ministrisë, e publikuar në faqen e saj, e shpall të papranueshëm hetimin e UEFA-s, duke theksuar se simboli ‘Ujqërit gri’ nuk është e ndaluar në Gjermani.
“Për më tepër, raporti i publikuar nga Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës në shtator 2023 theksoi se shenja “ujku gri” nuk mund të lidhet domosdoshmërisht me ekstremizmin e krahut të djathtë”, thuhet në deklaratë.
Deklarata nënvizoi një raport nga Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës, e cila thoshte se jo çdo person që bën shenjën “Ujqërit gri” mund të etiketohet si një ekstremist i ekstremit të djathtë.
Ministria kritikoi reagimet e autoriteteve gjermane ndaj Demiral si ksenofobike dhe të motivuara politikisht, duke pohuar se gjesti ishte një simbol historik dhe kulturor.
Debati u ngrit pasi Demiral festoi golat e tij gjatë ndeshjes duke bërë shenjën ‘Ujqërit gri’, të cilën e ndau edhe në llogarinë e tij në rrjetet sociale. Kjo bëri që Faeser, Ministrja e Brendshme Gjermane të bënte thirrje për sanksione nga UEFA, duke deklaruar në mediat sociale se simbolet e ekstremistëve të djathtë turq nuk kanë vend në stadiumet e tyre dhe se përdorimi i Kampionatit Evropian të Futbollit si një platformë për racizmin është krejtësisht i papranueshëm.
UEFA ka nisur një hetim për incidentin, i cili mund të rezultojë në sanksione kundër Demiral. Ndeshja e zhvilluar në Leipzig të Gjermanisë përfundoi me fitoren 2-1 të Turqisë, duke siguruar vendin e tyre në çerekfinale të Euro 2024.