Ambasadori Hovenier mesazh Qeverisë: Drafti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese, jo në Venecia
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ka folur për Asociacionin – çështjen delikate në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, proces ky që ka ngecur si pasojë e moszbatimit të marrëveshjeve.
Ai ka folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, draftin e të cilit i rekomandoi qeverisë ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Drafti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese, jo në Komisionin e Venecias” – tha ambasadori Hovenier në një intervistë në Klan.
Hovenier edhe para disa muajsh kishte deklaruar se shteti i tij beson se për Kosovën është urgjente që të lëvizë përpara me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai pati thënë se Kosova ka shumë miq që duan ta shohin shtetin pjesë të organizatës të Këshillit të Evropës dhe të shfaqë përkushtimin për të drejtat e pakicave dhe të drejtave të njeriut.