As një muaj në pushtet, partneri i VMRO-së do largimin e flamurit shqiptar nga institucionet
Deklarimi i liderit të Lëvizjes “ZNAM”, Maksim Dimitrievski, i cili duke komentuar mbledhjen e parë koordinuese të ministrave shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, nga radhët e “VLEN”-it, ku ishte prezent edhe flamuri shqiptar se nëse vazhdohet kështu do të largohen nga koalicioni qeverisës, ka ngjallur reagime të ashpra, derisa liderët e lokacionit “VLEN” janë zotuar se një gjë e tillë nuk do të ndodh.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, ka thënë se Dimitrievski është “në eufori zgjedhore” dhe se nuk mund ta ndalojë askush flamurin shqiptar të vendoset në institucionet e Maqedonisë së Veriut, meqë sipas tij, një gjë e tillë është e rregulluar me ligj.
“Maksimi është në eufori zgjedhore, nuk mund t’i pengoj askujt, sepse përdorimi i flamurit shqiptar është zyrtar, as që e diskutoj këtë nëse i pengon. Duhet t’i gjejë vetës mënyrë si mos t’i pengoj, nëse kjo është arsyeje që ai të dalë nga Qeveria, është vendimi i tij. Kjo është retorikë populiste e tij”, tha Taravari në një intervistë për RTV-21.
Edhe Bilall Kasami, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, njërit kryetar i komunës së Tetovës e ka kundërshtuar Dimitrievskin, duke thënë se ky i fundit nuk e përcakton se si dhe kur përdoret flamuri shqiptar.
“Urojmë që edhe partneri i koalicionit, në këtë rast kryetari i ZNAM të dalë nga retorika parazgjedhore dhe të kuptoj se tani jemi pjesë e qeverisë dhe duhet të punojmë për të mirën e qytetarëve dhe të merremi me punët dhe obligimet të cilat i kemi marrë”, deklaroi Kasami të martën para gazetarëve.
Ndryshe, lideri i Lëvizjes “ZNAM”, Maksim Dimitrievski, tha një ditë më parë se vendoset të vazhdohet flamuri shqiptar në institucione të RMV-së do të largohen nga koalicioni qeverisës i cili përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja si bartëse e koalicionit, “VLEN” si përfaqësues i shqiptarëve dhe Lëvizja “ZNAM”, e cila udhëheqë me dy resore qeveritare.
“Ky është narrativ i BDI-së që po përsëritet në vazhdimësi. Nëse vazhdon sjellja e tillë dhe mosrespektimi, nuk do të jemi pjesë e Qeverisë dhe do të dalim”, tha Dimitrievski për mediat maqedonase, transmeton albanianpost.
Koalicioni qeverisës në Maqedoni të Veriut, që udhëhiqet nga lideri nacionalist, Hristjan Mickoski, përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja si bartëse e koalicionit, “VLEN” si përfaqësues i shqiptarëve dhe Lëvizja “ZNAM”, e cila udhëheqë me dy resore qeveritare.
Shqiptarët në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, që u zgjodh më 23 qershor, përfaqësohen nga koalicioni “VLEN”.
6 është numri i ministrive që shqiptarët udhëheqin në ekzekutivin e Mickoksi-t, numri më i vogël në histori.
“VLEN” është bërë pjesë e qeverisë në cilësinë e humbësit të zgjedhjeve në taborin shqiptar, pasi që në zgjedhjet parlamentare të 8 majit mori 4 deputetë më pak se “Fronti Evropian”.
Përkundër kësaj, Mickoski përzgjodhi “VLEN”-in për partnerë qeverisës, duke thyer kështu parimin fituesi me fituesin (te shqiptarët dhe maqedonasit).