Auditori gjen plot shkelje në punën e katër komunave veriore

Auditori gjen plot shkelje në punën e katër komunave veriore

Situata politike e krijuar vitin e kaluar në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan i kishte penalizuar edhe financiarisht. Mjetet e dedikuara për projekte qeveria i kishte shkurtuar.

Gjetje nga auditori për 4 komunat veriore janë identifikuar edhe në moszbatim të Ligjit për mbledhje të të hyrave nga tatimi në pronë, dhënien e lejeve etj.

Po ashtu është gjetur se në të 4 komunat kanë angazhuar zyrtarë  administrativë pa procedura adekuate si edhe mungesa të plota të dëshmive  të vijueshmerisë në punë.

Të 4 komunat tashmë të udhëhequra nga kryetarë të subjekteve politike kosovare ishin konstatuar parregullsi në ekzekutimin e buxhetit.

 

 

Si pasojë e gjendjes atje Qeveria e Kosovës kishte marrë vendimin për secilën t’ua zvogëlojë buxhetin në masë të madhe.

Në Komunën e Mitrovicës Veriore, auditori ka identifikuar moszbatim të Ligjit për mbledhjen e të hyrave nga tatimi në pronë.

Sipas auditorit kjo ka ndodhur për faktin se nga qeverisja e kaluar nuk kanë trashëguar regjistër të pronave dhe procedura të tjera për mbledhjen e tatimit në pronë.

Gjatë vitit 2023, komuna ka filluar të ndërmerrte veprime për identifikimin dhe regjistrimin e pronës, mirëpo ende është në fillim të këtij procesi.

Po ashtu gjatë vitit 2023, komuna kishte angazhuar 17 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta pa udhëhequr procedura të prokurimit.

Sipas zyrtarëve të komunës kjo kishte ndodhur për arsye të dështimit të konkurseve të rregullta për reduktim të punonjësve.

“Në vitin 2023, komuna kishte shpenzuar 93 % të buxhetit final ose 1.288 , 570 euro. Shpenzimet e vitit 2022 janë dukshëm më të larta dhe kjo është pasojë e gjendjes politike“, thuhet në raport.

Ndërsa te Komuna e Leposaviqit është gjetur po ashtu moszbatim i Ligjit për mbledhjen e të hyrave nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit dhe dhënies në shfrytëzim të pronës publike, angazhim të zyrtarëve administrativë pa procedura adekuate si edhe mungesë të plotë të dëshmive për vijueshmërinë në punë, raporton Indeksonline.

“Kjo ka ndodhur për shkak se komuna ende nuk ka vendosur politika të zbatimit të ligjeve dhe nuk ka ndërmarrë veprime konkrete për arkëtimin e të hyrave nga kjo veprimtari që ka ndikim të rëndësishëm në nivelin e buxhetit të komunës dhe  përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Ne kemi ekzaminuar 15 raste dhe kemi vërejtur se komuna ka angazhuar zyrtarë administrativë sipas kontratës së punës dhe detyrave specifike, duke përcaktuar pagën bruto prej 420 eurosh për secilin zyrtarë dukle mos zbatuar procedurat e prokurimit. Kjo ka ndodhur për shkak të moszbatimit të procedurave të prokurimit me qëllim zëvendësimin e mungesës së stafit.

Komuna përdor evidencë për të punësuarit për vajtje-ardhje në punë në të cilat nënshkruhen punonjësit për ta dëshmuar prezencën e tyre në punë, por gjatë rishikimit tonë të listave për muajin tetor, nëntor dhe vjetor të vitit 2023 kemi vërejtur se nuk ishte evidentuar i gjithë stafi në këto lista”, thuhet në raport.

Si pasojë e gjendjes politike të krijuar në Komunën e Leposaviqit, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për reduktim të buxhetit në vlerë prej 4.4 milionë eurosh. Në vitin 2023, komuna ka shpenzuar afro 89 % të buxhetit final ose 961.978 euro me një rënie afro 76% në krahasim me vitin 2022.

Komuna e Zubin-Potokut po ashtu është gjetur se ende nuk ka filluar mbledhjen e të hyra nga taksat e pronës dhe lejet e ndërtimit dhe nuk ka miratuar rregullore të brendshme  për tatimet, tarifat, taksat dhe ngarkesat për ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët. Po ashtu edhe te kjo komunë kishte mungesë të dëshmive  për vijueshmëri në punë.

Buxheti final krahasuar me buxhetin fillestar është zvogëluar nga qeveria për 1. 934,011 euro ose  63 %.

Gjetje të njëjta janë identifikuar edhe në Komunën e Zveçanit.

Zotim i mjeteve dhe urdhërblerje me vonesë. Gjatë testimit të pagesave kemi vërejtur se zotimi i mjeteve dhe urdhërblerja ishte lëshuar 10 ditë pas pranimit të faturës, vlera e së cilës ishte 13 .8740.40 euro. Përveç kësaj kemi vërejtur se urdhërblerjet nuk janë të nënshkruara dhe nuk e përmbajnë datën e saktë të gjenerimit të tyre”, thuhet në raport.

Po ashtu edhe kjo komunë kishte mungesa të dëshmive  për vijueshmëri në punë. Moszbatim të Ligjit për mbledhjen e të hyrave nga tatimi në pronë.

Buxheti final në raport me buxhetin fillestar ishte zvogëluar nga qeveria  për 1.845.415 euro . Në vitin 2023 , komuna kishte shpenzuar 76% të buxhetit fillestar ose 681,444 euro.

 

Shpërndaje në: