Bislim Zyrapi nis dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Bislim Zyrapi i cili mbanë kodin 04752 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Këtij dëshmitari iu është caktuar avokati Rik Vanreusel për përfaqësim ligjor pasi që ekziston rreziku i vetëinkriminimit të të dëshmitarit.
Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurorja Clare Lawson e cila filloi pyetjet në mënyrë kronologjike që nga marsi 1998, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në atë periudhë nuk kam qenë brenda por sipas informatave dihet që ka pas luftime në Drenicë ku dihet në atë kohë edhe masakra ndaj familjes Jashari…”, tha Zyrapi.
Ai tha se ka dëgjuar nga koleget e tij për këto zhvillime në Kosovë.
“Kam dëgjuar nga kolegë sa isha ne Tiranë. Nga anëtarët e logjistikes të asaj kohe se si bënte dhe çfarë po ndodhte në Kosovë dhe atëherë e kam mësuar nga ata”, tha ai.
Më pas dëshmitarit iu prezantua një dokument në të cilën përmendej një person me emrin Daja.
“Nuk po e di saktë por daja në atë kohë i kemi thënë komandant të Përgjithshëm, Azem Sylës. Informacioni është i saktë për çka po flitet dhe për çka po shkruhet”, tha dëshmitari.
Sipas prokurores Lawson, nuk ka prova se i kujt ishte shkrimi dhe nuk ka prova nga ka ardhur dokumenti. Ajo shtoi se dëshmitari nuk ishte autori i atij dokumenti.
Tutje, dëshmitari tha se ‘Gjermani’ ishte Xhemë Gashi në shtabin e Drenocit.
Pastaj, dëshmitari u pyet për shkuarjen e tij në Likoc dhe se më kë ishte takuar në ditët e para.
“Në ditën e parë kur kemi arrit në Likoc bashkë me grupin që kemi qenë, përveç grupit të anëtarëve që kanë qenë të Shtabit me mua, kam taku Sokol Bashotën dhe kanë qenë komandanti i Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa dhe i Zonës së Shalës, Rrahman Rama”, tha Zyrapi.
Dëshmitari Zyrapi tha se në ditët e para kishte takuar edhe Rexhep Selimin.
“Me këta të cilët veç i ceka me këta që isha bashkë si anëtarë të Shtabit dhe pastaj e kam taku Sokol Bashotën, pastaj e kam taku Rexhep Selimin po dikë tjetër nuk kam taku. Po foli për ditët e para se masanej po”, tha ai.
Ndërsa, për Sylejman Selimin tha se e ka takuar pas disa ditëve kur i është dhënë që ta vizitojë Zonën e Drenicës.
“Mund të thuhet pas disa dite. Masi më është dhanë që të vizitojë zonën e Drenicës dhe ta ndihmojë për rikonstruimin, në vizitën e kësaj zonë dhe njësie atëherë jam taku dhe jam njoftu me atë për herë të parë si komandant i zonës”, tha Zyrapi.
Ai gjithashtu shtoi se nuk e mbanë mend vendin se kur është takuar me Sylejman Selimin.
“Për momentin jo. Ka mund të jetë edhe ne Likoc, ka mund të jetë edh enë ndonjë fshat tjetër të Drenicës”, tha Zyrapi.
Zyrapi tregoi se hera e parë kur është takuar me Jakup Krasniqin ka qenë në qershor të vitit 1998 kur ky i fundit ka shkuar ta marrë detyrën si zëdhënës i UÇK-së.
“Qershor në 1998 kur ka ardhur ta merr detyrën e zëdhënësit të Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai duke shtuar se përveç tij i pranishëm ka qenë edhe sokol Bashota”, tha ai.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se për këtë javë do të kenë orarin e ndryshuar pasi sipas tij, dëshmitari 04752 nuk do të jep dëshmi të martën pasdite, por do të jetë i gatshëm që të jep dëshmi seancën e paradites së enjte.
:Dëshmitari 04752 do të jep dëshmi gjithë ditën të hënën, të martën deri në pushimin e drekës, gjithë ditën të mërkurën dhe vetëm seancën e parë të ditës së enjte. Kemi dëshmitarin 04051 dhe 0445 që do të dëshmojnë në këto seanca që nuk do të mbulohen nga dëshmitari i ditës së sotme”, tha tutje Smith III.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth shtatë ditë. Prokuroria për pyetjet e saj ka parashtruar se i duhen tetë orë, ekipet e mbrojtjes rreth 25 orë.
Më pas u diskutua edhe për një organogram që supozohej të i prezantohej këtij dëshmitari mirëpo vendimi se a do të përdorët ai organogram në prova si dhe si do të procedohet tutje mbeti që vendimi të merret më vonë.
Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent fizikisht në sallën e gjyqit.
Ashtu siç është bërë e ditur edhe nga DhSK-ja, seanca e sotme në këtë çështje gjyqësore ka filluar një orë më vonë se zakonisht.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi