Vdes shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare
Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka vdekur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Kadare ka vdekur në moshën 88-vjeçare. Ai ka lindur në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936.
Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Si shkrimtar u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë./TCH