A ka bërë Vuçiq kërkesë për ta vizituar Kosovën? Vjen përgjigja zyrtare nga Ministria e Jashtme
Në veri të Kosovës janë shfaqur posterë me fotografinë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shoqëruar me mesazhin “komandant suprem, po të presim”.
Posterët e tillë janë hasur në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi se autoritetet kanë hapur rast për “nxitje të urrejtjes”.
“Në disa lokacione në katër komunat në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me fotografinë e kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hapur rasti për nxitje të urrejtjes”, tha Elshani.
Aktualisht, sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterëve, por “policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”.
Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në veri, Elshani tha se është e mirë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi lidhur me vendosjen e posterëve në veriun e Kosovës, dedikuar presidentit Vuçiq. Ai tha se nëse lideri serb futet në Kosovë, pa marrë leje nga institucionet e vendit, do të burgoset.
“Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, shkroi Sveçla në Facebook.
Gazeta Sinjali e ka pyetur MPJD-në, nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka bërë kërkesë për ta vizituar Republikën e Kosovës.
“Ju informojmë që në MPJD ditëve të fundit nuk ka ardhur asnjë kërkesë për vizitë të ndonjë zyrtari të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të MPJD-së për Gazetën Sinjali.
Shfaqja e këtyre posterëve në veri ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të larta që nga maji i vitit të kaluar, kur kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, nisën mandatin.
Tensionet u rritën edhe më shumë në shtator, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Prishtina ka kërkuar nga Beogradi që t’ia dorëzojë Radoiçiqin dhe grupin e tij autoriteteve gjyqësore të Kosovës. Këtë kërkesë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e bëri edhe gjatë rundit të fundit të dialogut – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – më 26 qershor.
BE-ja tha se kjo ishte një prej tri kushteve që Kosova ka vendosur për angazhimin e saj në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.