Euro 2024: Kosova s’po merr pjesë, por po bëhet temë diskutimi

Euro 2024: Kosova s’po merr pjesë, por po bëhet temë diskutimi

Derisa ekipet kombëtare të vendeve nga Ballkani që po garojnë në Kampionatin Evropian të futbollit në Gjermani nuk përballeshin mes vete në fushën e gjelbër, tifozët e tyre ishin në qendër të vëmendjes në javën e parë të turneut, duke shkaktuar incidente të ndryshme, që u ndëshkuan nga Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).

Ditët e para të Euro 2024 – që nisi më 14 qershor – u shënuan me disa incidente, në të cilat u përfshinë kryesisht tifozët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Shqipërisë dhe të Serbisë në veçanti, por edhe një futbollist dhe një gazetar i sportit.

Por, shumica e incidenteve u përqendruan rreth Kosovës, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh.

Çfarë ndodhi dhe kush u përfshi?

UEFA i ka gjobitur Shqipërinë dhe Serbinë për incidentet e shkaktuara nga tifozët e tyre, dhe është duke e hetuar Shqipërinë dhe sulmuesin e saj, Mirlind Daku, për incidente të tjera.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) u dënua me gjobë të përgjithshme prej 37.375 eurosh nga UEFA, për shkak të sjelljeve të tifozëve të saj në humbjen 2:1 kundër Italisë, në ndeshjen hapëse të Grupit B, më 15 qershor, në Dortmund.

Në një njoftim, më 19 qershor, UEFA tha se, ndër të tjera, e dënoi FSHF-në me 10.000 euro për shkak të “përçimit të mesazheve provokuese, të papërshtatshme për një ngjarje sportive”.

Tifozët e Shqipërisë e shpalosën një baner me flamurin e vendit të tyre që zgjeron kufijtë brenda territorit të vendeve fqinje, gjatë asaj ndeshje dhe gjatë ndeshjes kundër Kroacisë, më 19 qershor. U raportua se ata shpalosën edhe një flamur me stemën e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Serbia, në anën tjetër, u gjobit me 10.000 euro, pasi Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i UEFA-s gjeti se tifozët e saj “përçuan mesazhe provokuese, të papërshtatshme për një ngjarje sportive”, si dhe me 4.500 euro për hedhjen e gjësendeve në fushë, në humbjen 1:0 kundër Anglisë, më 16 qershor, në Gelsenkirshen.

Para asaj ndeshjeje, shtatë tifozë serbë u arrestuan për shkak të një përleshjeje me tifozët anglezë, në qytetin perëndimor gjerman.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) bëri ankesë në UEFA për, siç ka thënë, shfaqjen e flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me “mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës”, gjatë ndeshjes Serbi-Angli./REL/

Shpërndaje në: