Eskalon situata – Serbi i akuzuar për krime lufte në Prizren s’e pranon fajësinë, irritohen familjarët
Me tensione të mëdha është përcjellë seanca gjyqësore ndaj serbit Millosh Pleskoviq, pasi ky i fundit nuk e pranoi fajësinë. E mos pranimi i fajësisë, irritoi vëllanë e viktimave, i cili më pas u largua nga zyrtarët e Shërbimit Korrektues, raporton EO.
Fillimisht, prokurori i rastit, Ilir Morina, lexoi aktakuzën me të cilën e ngarkon serbin, Pleskoviq. Tha se i njëjti ka kryer vrasjen e dy vëllezërve, Binak dhe Reshat Daçaj gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Prokuroria e Kosovës me datën 06.06.2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Millosh Pleakoviq. I ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil. Duke kryer vrasjen e binjakeve Binak dhe Reshat Daçaj, në periudhën kohore forcat policore ushtarake të Serbisë ishin stacionuar në kundrën rrethi Prizrenit për shkak të konfliktit të armatosur. Ndërsa 11 shtator 1998 ne afërsi të Prizren viktimat kanë shkuar në malin e tyre për të marr dru për ngrohje dhe derisa ishin duke ecur kanë hasur në 7-8 persona të forcave serbe. Fillimisht i kanë kërkuar qe të ndaleshin pastaj i kanë fyer, në atë moment i pandehuri ka shtënë me kallashnikov. Viktimat Binak Fatmir dhe Reshak Dacaj kanë mbetur në vendin e ngjarjes të vrarë për shkak të shtënave me armë.. Viktimat ishin të gjymtuar l, njeri nga ata nuk e kishte kokën në trup”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, të lexuar nga prokurori Morina.
Ndërsa kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, tha se në këtë seancë vetëm do të merren deklarata e të akuzuarit, për shkak që është në gjykim fillestar.
I akuzuari nuk e pranoi fajësinë, dhe për këto vrasje “duhet të gjykohet ai që e ka kryer veprën”.
“Nuk e pranoj aktakuzën më vjen keq për viktimat duhet të përgjigjet ai që e ka kryer atë krim dhe jo unë”, tha Pleskoviq.
Ndaj të akuzuarit me nofkën “Qeli” ka edhe një procedurë tjetër si i akuzuar për tjetër vepër penale.
Pala e dëmtuar ka kërkuar kompensim të dëmit në rast se Pleskoviq del fajtor në fund të gjykimit.
Avokatja e të pandehurit kërkoi për ndryshimin e masës së sigurisë, mirëpo u kundërshtua nga ana e prokurorit, Ilir Morina.
Sipas Morinës, gjendet një dëshmitar anonim që ka frikë nëse Pleskoviq është i lirë.
“Mendoj që kërkesa për ndryshimin e masës të refuzohet sepse nuk ka ndryshuar asnjë formë juridike. E vetmja mundësi bazë është mundësia e arratisjes. Siç e din Gjykata kemi një dëshmitar anonim i cili ka frikë për jetën e vet dhe mbi bazën e kësaj nëse i pandehuri gjendet në liri mund t’ia rrezikoj jetën e tij. Sa i përket bazës se arratisjes i kemi dhënë arsyet me shkrim të aktakuzës”, tha prokurori Morina.