Lidhjet e udhëheqësit të ri të NATO-s me Kosovën ndër vite
Te kryeministri i Holandës, Mark Rutte, autoritetet në Kosovë shohin një partner me të cilin mund të bisedojnë për një gamë të gjerë çështjesh – nga avancimi i vendit në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian deri te siguria dhe stabiliteti afatgjatë.
Në krye të Qeverisë holandeze nga viti 2010, Rutte pritet të konfirmohet në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s brenda ditësh, raporton REL.
Vizitën e fundit në Kosovë e zhvilloi korrikun e kaluar, kur së bashku me homologun e atëhershëm nga Luksemburgu, Xavier Bettel, i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulnin tensionet dhe t’i ktheheshin dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Tensionet mes dy vendeve ishin në kulm, pasi në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pushtetin e morën kryetarët e zgjedhur shqiptarë.
“U bëjmë thirrje të dyja palëve që të marrin pjesë në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ta shtensionojnë situatën dhe përfundimisht t’i normalizojnë marrëdhëniet”, shkroi Rutte atëkohë në platformën X.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi takimin me dy udhëheqësit evropianë si mundësi për të diskutuar “përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit, avancimin në rrugën drejt BE-së dhe përkushtimin e përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në kontinent”.
Holanda ishte në mesin e shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës brenda muajit të parë pas shpalljes, më 2008. Atëkohë kryeministër ishte Jan Peter Balkenende.
Rutte mori detyrën e kryeministrit mbi dy vjet më vonë – në tetor të 2010-ës.
Në dhjetor të 2013-ës, ai priti në zyrën e tij presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, së cilës i shprehu mbështetjen e Holandës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së.
Kjo marrëveshje – e para kontraktuale mes dy palëve – u nënshkrua në vitin 2015.
Qeveria e Ruttes, për një periudhë të caktuar, ishte kundërshtare e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, së bashku me atë të Francës.
Një qëndrim i tillë i nxiti dhjetëra deputetë të Parlamentit Evropian t’i shkruanin letër Ruttes dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në vitin 2020, për t’iu kërkuar dritën jeshile për lëvizjen e lirë të kosovarëve.
Nga ajo kohë, procesi kaloi në disa faza dhe vizat u hoqën nga 1 janari i këtij viti.