Arrestohet një i kërkuar për sulmin ndaj KFOR-it vjet në Zveçan
Sonte Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, ndodhur në maj 2023 në Zveçan.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se personi i dyshuar është duke u intervistuar.
“Rreth orës 19:00 është arrestuar L.D., i njëjti dyshohet për involvim në ngjarjet e majit 2023. Janë 93 pjesëtarë të KFOR-it që kanë qenë të lënduar në protestat e dhunshme. I dyshuari është duke u intervistuar në Stacionin Policor në Jug. Pas intervistimit pritet vendimi i prokurorit. Ai është arrestuar në Bistricë (Zveçan)”, tha Elshani për Express.
Si pasojë e këtyre protestave dhjetëra ushtarë të KFOR-it pësuan lëndime të ndryshme trupore. Serbët kundërshtonin emërimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.