“Ku është Ramushi, Fatmiri?”, Walker kritikon Qeverinë që s’i ftoi ata në Ditën e Çlirimit
Diplomati amerikan tashmë në pension, William Walker, ka folur për festën që është bërë në Kosovë me rastin e 25 vjetorit të Ditës së Çlirimit. Walker ka shprehur kritikat e tij për krerët e shtetit për mënyrën se si i kanë trajtuar liderët e partive opozitare dhe njerëzit që kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës.
Në këtë intervistë Walker ka thënë se në festën e organizuar nga Qeveria në mbrëmje ishte habitur që s’kishte parë aty Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn aty. Walker ka thënë se ishte interesuar se pse ka ndodhur një gjë e tillë dhe tregon për arsyetimin që kishte marrë nga një person aty.
Diplomati amerikan tashmë në pension ka thënë se është shqetësuese të dëgjosh që liderët e partive opozitare s’ftohen në festë për shkak të dallimeve politike.
“Padyshim që isha krenar që isha i ftuar dhe u ula atje, duke dëgjuar fjalimet. Megjithatë, shumë prej tyre janë të gjata dhe unë nuk isha gati të dëgjoja të njëjtat fjalime. Por ceremonia në parlament me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, e pashë mjaft mirë. Isha pak i befasuar nga festimi i mbrëmjes dhe perceptimi që dha qeveria në njohjen e 25-vjetorit të çlirimit. Kur mbërrita, takova një ose dy njerëz, presidenein tuaj për shembull, kam pasur një minutë me të. Takova disa ministra dhe zëvendësministra. Dhe pyeta njerëzit me të cilët isha, thashë të gjej disa nga njerëzit e tjerë që kam njohur këtu. Gjeni Ramush Haradinajn, gjeni Fatmir Limajn. Njerëzit që i njoh prej 25 vitesh. Dhe më thanë se nuk janë këtu. Thashë se është befasuese. Pse nuk erdhën të festojnë për atë që kanë luftuar. Më thanë jo, nuk erdhën sepse nuk ishin të ftuar. Opozita nuk ishte e ftuar por duhej të kishin ardhur të gjithë kosovarët. Më thanë se ishin disi të ftuar, por në momentin e fundit. Dhe sot e pyeta një mik, thashë se jam në hotel këtu dhe prisja të shihja përfaqësues nga diaspora. Zakonisht ata vijnë. Kjo ishte dita e çlirimit, pse nuk janë këtu? Dhe nga ky person më tha se nuk ishin të ftuar. Më duket diçka për t’u kritikuar. Dita e çlirimit duhet të jetë një festë për të gjithë kosovarët. Të dëgjoj se dallimet politike bëjnë që disa të mos vijnë ose të mos ftohen, më duket shumë shqetësuese”, ka thënë Walker për T7.