Rakiq pranon fajësinë për mosdeklarim të pasurisë, dënohet me gjobë dhe burgim me kusht

Rakiq pranon fajësinë për mosdeklarim të pasurisë, dënohet me gjobë dhe burgim me kusht

Goran Rakiq, në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim (pozitë të cilën nuk e ushtron aktualisht) është dënuar nga Gjykata e Prishtinës me 3 muaj burgim me kusht dhe gjobë prej 1 mijë eurosh për mosdeklarim të pasurisë.

Rakiq ka arritur Marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Prishtinës, dhe dënimi i rekomanduar në marrëveshje ishte ai që iu shqiptua nga Gjykata, më 19.06.2024, raporton kallxo.com.

Ai akuzohet së në formularin e dorëzuar të deklarimit të pasurisë për vitin 2020, nuk kishte paraqitur saktë të dhënat, duke mos deklaruar të ardhurat si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe në Ndërmarrjen Publike në Mitrovicë.

Sipas Prokurorit Ali Ajdini, Marrëveshja është bërë pas intervistimit të të pandehurit në zyren e prokurorit.

Avokati Asdren Hoxha i cili mbron të akuzuarin tha se kjo marrëveshje është bërë duke u nisur nga arsyeja e ekonomizimit të procedurës, gjetjes së të vertetës reale dhe në interes të drejtësisë. Kurse, i akuzuari është njoftuar me benefitet dhe pasojat e marrëveshjes të pranimit të fajësisë.

Në seancën e shqyrtimit të marrëveshjes prezent kishte edhe përfaqësues të Agjencisë kundër Korrupsion, Gani Nikçi i cili e mbështeti marrëveshjen e arritur mes prokurorit dhe të pandehurit.

Gjyqtarja e rastit Naime Kraniqi e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë duke thënë se e njëjta nuk ka asnjë të metë faktike e juridike.

Goran Rakiq, ekonomist i diplomuar ka qenë pjesë e jetës institucionale të Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në: