Apeli refuzon ankesat e mbrojtjes, dy të dyshuarit për spiunazh mbeten në paraburgim
Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve Besnik Berisha dhe Ridvan Kajtazi, ashtu që ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy të dyshuarve për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi.
Kundër vendimit të Themelores, mbrojtësi i të akuzuarit Shabani, avokati Besnik Berisha kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimin se aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë është arbitrar dhe i kundërligjshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Qerimi, avokati Ridvan Kajtazi, në ankesë kishte pretenduar se vendimi i Themelores për caktimin e paraburgimit mbështetet vetëm në supozime dhe jo në fakte konkrete dhe prova specifike që inkriminojnë të mbrojturin e tij drejtpërdrejt për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Mirëpo, Gjykata e Apelit ka gjetur se ankesat janë të pabazuara dhe se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Apeli ka vlerësuar si të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë konform nenit 184, paragrafi 1 , nënparagrafi 1.2, pika 1.2.1 të Kodit të Procedurës Penale, pasi që rreziku i ikjes është potencial tek këta të pandehur duke pasur parasysh peshën e veprës penale.
“…se po të mbrohen në liri mund të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale para së cilës ndodhen, duke qenë se përballen me vepër penale të rëndë që ka të bëjë me sigurinë e shtetit”, thuhet tutje në vendimin e Apelit.
Sipas Apelit, fakt më të besueshëm arratisjen e këtyre të pandehurve e bën edhe fakti se të njëjtit kanë udhëtuar shpesh për në Serbi, Sarajevë, Maqedoni apo edhe vende të tjera ku njëri nga ta ka edhe familjarë, çka paraqet rrezik potencial që të njëjtit t’i ikin përgjegjësisë penale.
“Andaj, caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm në këtë fazë të procedurës penale sa i përket pengimit të arratisjes”, thuhet në këtë vendim.
Gjithashtu, Apeli e ka vlerësuar si të drejtë vendimin e Themelores nga neni 184, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2, pika 1.3.2 të KPP-së, pasi që hetimi në këtë çështje penale është në fazën fillestare të tij, dhe me lënien në liri eksiton rreziku që të pandehurit t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale, ose të pengojnë rrjedhën normale të hetimeve.
“E veçmas mund të ndikojnë tek njëri-tjetri meqenëse veprimet e tyre ndërlidhen tërthorazi mes vete duke qenë se kanë kontaktin e përbashkët me zyrtarin e BIA-së si dhe mund të ndikojnë në dëshmitarët e kësaj çështje penale e që policia është duke punuar në identifikimin e disa prej tyre, e disa prej tyre vetëm se janë identifikuar”, thuhet tuje në vendimin e Apelit.
Po ashtu, kjo gjykatë e ka vlerësuar si të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë për caktimin e paraburgimit duke pasur parasysh edhe peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale.
“Ekziston rreziku i përsëritjes së veprave penale, pasi që personi ndërlidhës i BIA-së nuk është arritur të arrestohet, apo personat e tjerë me të cilët të pandehurit kanë pasur kontakte, ku me lënien e tyre në liri ekziston rreziku real se të njëjtit do të vazhdojnë kontaktet me këta persona”, thuhet në këtë vendim.
Sipas PSRK-së, dy të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 3 të Kodit Penal, ndërkaq i pandehuri Qerimi dyshohet edhe se ka kryer edhe veprën tjetër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.
Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh, kishte bërë të ditur se në shtëpitë e dy të dyshuarve që u arrestuan për spiunazh, u gjetën dhe sekuestruan dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë, municione, maska, gasmaska ushtarake dhe shumë dëshmi të tjera.
Sipas Policisë, arrestimi i të dyshuarve erdhi pasi në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë speciale, janë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për spiunazh.