Përurohet skulptura e Leutrim Ahmetit, i vrarë gjatë luftës nga forcat serbe
Në Ditën e Çlirimit të Skenderaj është zbuluar shtatorja e Leotrim Ahmetit, djalit 7-vjeçar të vrarë gjatë luftës, si pjesë e aktiviteteve për të përkujtuar 25-vjetorin e çlirimit nga forcat serbe.
Në 25-vjetorin e çlirimit të Skenderajt, është përuruar skulptura e Leutrim Ahmetit, 7-vjeçarit të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Bashkë me udhëheqësit e Komunës së Skenderajt, Shukrie Ahmeti, ka zbuluar shtatoren e djalit të saj Leotrimit.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka deklaruar se krahas shtatores së kryekomandantit legjendar, Adem Jashari, sheshi i këtij qyteti do ta mbajë edhe shtatoren e Leutrimit shtatëvjeçar që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës.
“Oj nanë, kqyr se edhe unë kam diçka në bark, jam sëmut prej barku”, ky është tregimi i nënës së Leotrimit, Shukrije Ahmetit, rrëfim që frymëzoi skulptorin, Sabri Behramaj.
Leotrimi është djali i Malush Ahmetit, dëshmor i UÇK-së.
Shtëpia e Malushit në Rezallë ka shërbyer si vend-punishte për rregullimin dhe mirëmbajtjen e armëve me të cilat UÇK-ja e luftonte okupatorin serb.
Në sheshin kryesor janë vendosur fotografi të ndryshme, dëshmi për kohën e luftës në Skenderaj dhe në zonën e Drenicës.
Këtë vit shënohen 25 vjet nga çlirimi i Skenderajt nga forcat e armatosura serbe. Për të përkujtuar këtë ditë, Komuna e Skenderajt ka organizuar një sërë aktivitetesh, duke përfshirë homazhe në Kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz dhe në Marinë.
Një seancë solemne mbahet në Kuvendin e Komunës së Skenderajt, pasuar nga një Akademi përkujtimore, për të nderuar dëshmorët dhe martirët e komunës.