“S`është në Evropë” – Ku është ‘fantazma’ Enver Sekiraqa?

“S`është në Evropë” – Ku është ‘fantazma’ Enver Sekiraqa?

Fiks një muaj janë bërë kur Enver Sekiraqa i dënuar nga gjykata për shtytje të vrasjes së policit të njësisë speciale Triumf Riza, ‘nuk është bërë i gjallë’, shkruan Periskopi. Organet e drejtësisë ende nuk kanë arritur ta gjejnë Sekiraqën. Krejt çka ka ndodhur deri në këto momente është suspendimi i gjyqtarit, Agim Kuqi i cili kishte marrë vendim që Enver Sekiraqa të lirohet nga paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës për vuajtën e dënimit e ku në seancën e fundit ai u dënua me 25 vjet burgim.

Pas disa ditësh policia e Kosovës kishte lëshuar një komunikatë për media duke publikuar fotografinë e Sekiraqes, e ku kërkonte ndihmë nga qytetarët për lokalizimin e tij.

Por ku është Enver Sekiraqa?

Periskopi nga burimet e saja ka kuptuar se në bazë të kërkimeve që janë bërë nuk ekziston askund në vendet e Evropës se ai mund ta ketë kaluar kufirin nga ndonjë vend i Bashkimit Evropian.

Së paku në kërkimet e EUROPOL nuk ekziston ndonjë e dhënë nëse Enver Sekiraqa ka kaluar ndonjë kufijë të ndonjë shteti të Evropës.

“Bazuar në kërkimet që janë bërë, zyrtarisht nuk ekziston emri i tij nëse ka kaluar ndonjë kufi të vendeve të BE-së. Zyrtarisht emri i tij nuk ekziston nëse ka kaluar në pikëkalimet e këtyre vendeve. Nëse ai (Enver Sekiraqa) ka kaluar në mënyrë ilegale ndonjërin nga kufijtë e cilido shtet të BE, kjo është çështje tjetër”, i ka thënë Periskopit një burim brenda organeve të ndjekjes.

Avokati i Sekiraqes, Besnik Berisha në një deklaratë të mëhershme ka thënë se klienti i tij nuk është arratisur, por që po shërohet në një spital, pa treguar lokacionin me arsyetimin se mund t`i rrezikohet jeta klientit të tij.

Arratisja e Enver Sekiraqës, ka bërë që të ketë akuza në drejtim të sistemit gjyqësor.

I pari i vendit, Albin Kurti ka kritikuar sistemin e drejtësisë, sikurse kanë bërë edhe dy vartësit e tij, Xhelal Sveçla dhe Albulena Haxhiu.

E, me vendimin e fundit të gjykatës nuk është pajtuar as familja e policit të vrarë, Triumf Riza.

Ndryshe, në shpalljen e aktgjykimit kur u dënua për herë të tretë me datë 03.05.2024, Sekiraqa nuk ishte prezent në sallë.

I pranishëm gjatë shqiptimit të dënimit ishte babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza.

Vendimi ishte marrë nga trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, i kryesuar nga Agim Kuçi dhe me anëtarët – Ngadhnjim Arrni e Medije Bytyqi.

Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për urdhërimin apo shtytjen e vrasjes së Rizës, 17 vite më parë.

Për herë të parë në vitin 2016 Sekiraqa ishte dënuar me 36 vite burgim, kurse sërish në vitin 2019, me 20 vite burgim.

Policia e Kosovës më 23.05.2024 ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen dhe arrestimin e Enver Sekiraqës, pasi që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për organet e rendit dhe drejtësisë.

Policia ka publikuar fotografinë e tij dhe të dhënat, duke e kërkuar si të dënuar për veprën penale “shtytje në kryerjen e vrasjes së rendë”, në rastin e vrasjes së policit Triumf Riza.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor ose nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, të gjitha thirrjet në numrin 080019999 janë anonime, pa pagesë dhe konfidenciale. Ju mund të dërgoni informatat e juaja edhe në adresën elektronike [email protected]” – kishte apleuar Policia më 23.05.2024.

Dorasi i shpallur fajtor për vrasjen e Rizës është Arben Berisha, i cili për këtë vepër u dënua me 35 vjet burgim./Periskopi

 

Kush është Enver Sekiraqa i cilësuar si “gangsteri” i Prishtinës?

Shpërndaje në: