BE-ja s’komenton gjetjen e armëve në Veri, kërkon që Kosova të mos marrë “hapa të njëanshëm”
Për dy herë radhazi institucionet e Kosovës gjatë javës së kaluar, gjetën armatim në pjesën veriore ku në rastin e fundit rezultoi që armatimi të jetë i fshehur nga terroristët e sulmit të Banjës, megjithatë Bashkimi Evropian ka refuzuar të komentoj gjetjen e këtyre armëve.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media ka thënë se për muaj të tërë kanë parë “hapa të njëanshëm” nga Kosova.
“Natyrisht se ne jemi të shqetësuar për situatën në Veri të Kosovës, sepse kemi parë në të kaluarën hapa të njëanshëm, të pakoordinuar, që kanë çuar deri te përshkallëzimi i ri. Dhe kjo lidhet edhe me çështjen e masave. Përshkallëzimi i vazhdueshëm rezultoi me masat e BE-së”.
BE-ja, shpreson që eskalimet të parandalohen nga të dyja palët, në të kundërtën ka paralajmëruar forma të tjera për t’i ndaluar veprimet e tyre përvec deklaratave publike.
“Sinqerisht po shpresojmë se gjithsecili po e bënë më të mirën për shtensionim, për të ndihmuar me hapa që ndihmojnë që më në fund t’i ikim cikli i tensioneve dhe të kthehemi ku duhet të jemi, e që është platforma e dialogut, duke kërkuar zgjidhje për zbatimin urgjent të Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës”, tha ai.
Më 14 qershor, Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se konfiskimi i sasisë së armatimit në Veri të Kosovës, është bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës (AKI).
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, në një konferencë për media ka thënë se operacioni është bërë në disa lokacione ku ndodhej armatim i fshehur nga ish-pjesëtarë të Mbrojtës Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjës.
“Lokacioni i parë ka qenë në Veri të Mitrovicës, në afërsi të Tre Rrokaqiejve, ndërlidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviç, ndërsa lokacioni tjetër ka qenë në rrugën “Çeta e Minatorëve”, në Veri të Mitrovicës që ndërlidhet me subjektin në kërkim Zharko Cvetkoviç”, ka thënë fillimisht Elshani.
Më pas ai ka treguar edhe ato që janë konfiskuar në katër lokacione.
Edhe më 13 qershor, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se Policia e Kosovës konfiskoi sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore të territorit të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përfshirë një armë të gjatë, mjete eksplozive, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike.
Prej sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit – një nga katër komunat e banuara me shumicë serbe – në pjesën veriore të vendit, ku një grup prej dhjetra paramilitarësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës, autoritetet kosovare kanë prezantuar disa herë armatim të konfiskuar.