Zëvendësavokati i Popullit: Raportet e Avokatit të Popullit të mos vihen në pikëpyetje nga deputetët, të pranohen si të tilla

Zëvendësavokati i Popullit: Raportet e Avokatit të Popullit të mos vihen në pikëpyetje nga deputetët, të pranohen si të tilla

Institucioni i Avokatit të Popullit, po vlerëson se raportet që ata i përgatisin, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk duhet t’i vënë në pikëpyetje, por vetëm t’i pranojnë si të tilla.

Në fund të muajit maj, deputetët votuan kundër raportit të Avokatit të Popullit, për vitin 2022.

Zëvendësavokati i Popullit, Niman Hajdari, ka thënë për Ekonomia Online, se raportet e tyre duhet të pranohen si të tilla dhe të mos vihen në pikëpyetje, ani se nuk dëshiron të ndërhyjë në vullnetin e deputetëve.

“Nuk mund të ndërhyjmë në vullnetin e lirë të deputetëve për të votuar pro ose kundër. Sipas ekspertizës së Komisionit Evropian kundër intolerancës dhe racizmit për organet e barazisë sepse Avokati i Popullit njëkohësisht është edhe organ i barazisë, preferohet apo rekomandohet që raporti të mos votohet, por të pranohet si i tillë, meqenëse ky është një institucion kushtetues i pavarur, pra thjesht të pranohet si i tillë”, tha Hajdari për EO.

Gjithashtu, Hajdari u shpreh se Institucioni i Avokatit të Popullit, e ka dërguar me kohë raportin në Kuvend, mirëpo, legjislativi ka mbetur prapa me shqyrtimin e tij.

“Për raportin e vitit 2022 që është dërguar në Kuvend të cilin ne e kemi dorëzuar brenda afatit ligjor, mirëpo Kuvendi vetëm tani e ka shqyrtuar edhe ka votuar për këtë raport që është një vonesë prej dy vitesh”, tha ai.

Menjëherë pas votimit kundër të këtij raporti, kishte reaguar edhe Avokati i Popullit, duke thënë se vota PRO ose KUNDËR nuk e ndryshon, as e tjetërson realitetin dhe situatën me të drejtat dhe liritë e njeriut në vend.

“Mënyra se si u trajtua Raporti vjetor i Avokatit të Popullit në seancën e datës 23 maj 2024 e rikthen zëshëm shqetësimin lidhur me kuptueshmërinë që ka legjislativi për Institucionin e Avokatit të Popullit, mandatin që ushtron, pacenueshmërinë sa i përket vlerësimit të çështjeve që ngre në punën e tij të përditshme dhe në mënyrën se si vendos t’i trajtoj çështjet që i procedon, qofshin ankesa apo raste sipas detyrës  zyrtare”, thuhej në reagimin e AP-së.

Shpërndaje në: