Caktohet gjyqtari për ndeshjen Shqipëri-Kroaci, Kosova pati një përvojë me të
Ndeshja e xhiros së dytë të grupit B të EURO-s ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë të mërkurën më 19 qershor në Hamburg do të gjykohet nga francezi Francois Letexier, njoftoi UEFA.
Ai do të ndihmohet nga bashkatdhetarët e tij Cyril Mugnier dhe Mehdi Rahmouni, ndërsa arbitri i katërt është zvicerani Sandro Schaaler. Arbitri i VAR-it do të jetë francezi Willy Delajod dhe në dhomën e VAR janë francezi Jerome Brisard dhe gjermani Basrian Dankert.
Letexier është 35 vjeç dhe konsiderohet si një nga arbitrat më të mirë të brezit të ri në Evropë. Arbitri në klasën elitare të futbollit francez e ka filluar në vitin 2016, që nga viti 2017 është në listën e arbitrave të FIFA-s, aktualisht është në listën e arbitrave të Elitës së UEFA-s.
Në vitin 2021, ai ka drejtuar ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2022 të Kosovës ndaj Greqisë në Prishtinë. Ndeshja kishte përfunduar 1-1.